Një numër i madh palestinezësh po vazhdojnë të largohen nga qyteti i Gazës, pasi ushtria izraelite filloi fazat e para të një ofensive të planifikuar tokësore.
Trupat izraelite kanë krijuar një pikëmbështetje në periferi të qytetit, i cili është shtëpia e më shumë se një milion palestinezëve, pas ditësh bombardimesh intensive.
Kjo e ka shtyrë Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, të ripërsëris thirrjet për një armëpushim të menjëhershëm "për të shmangur vdekjen dhe shkatërrimin", raporton BBC.
Izraeli dëshiron të sinjalizojë se po ecën përpara me planin e tij për të pushtuar të gjithë Qytetin e Gazës, pavarësisht kritikave ndërkombëtare.
Një zëdhënës ushtarak ka thënë se trupat tashmë po veprojnë në zonat Zeitoun dhe Jabalia për të hedhur themelet për ofensivën, të cilën ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, e ka miratuar të martën dhe e cila do t'i paraqitet kabinetit të sigurisë më vonë këtë javë.
Rreth 60,000 rezervistë është paralajmëruar se do të thirren për ofensivën.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka thënë se po "shkurton afatet kohore" për marrjen e atyre që ai i ka përshkruar si "fortesat e fundit të terrorit" në Gaza.
Në një deklaratë, Hamasi ka akuzuar udhëheqësin izraelit për vazhdimin e një "lufte brutale kundër civilëve të pafajshëm në Qytetin e Gazës" dhe ka kritikuar atë që e ka quajtur "shpërfillje" e tij për një propozim të ri armëpushimi nga ndërmjetësit rajonalë. Izraeli ende nuk i është përgjigjur zyrtarisht planit.
Qindra mijëra palestinezë në Qytetin e Gazës pritet të urdhërohen të evakuohen dhe të drejtohen në strehimore në Gazën jugore, ndërsa përgatitjet për planin e Izraelit për marrjen e kontrollit kanë filluar.
Shumë nga aleatët e Izraelit e kanë dënuar planin e tij. Presidenti francez, Emmanuel Macron ka paralajmëruar të mërkurën se ai "mund të çojë vetëm në katastrofë për të dy popujt dhe rrezikon të zhytë të gjithë rajonin në një cikël lufte të përhershme".
Ndërkohë, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) ka thënë se zhvendosja e mëtejshme dhe një intensifikim i armiqësive "rrezikojnë të përkeqësojnë një situatë tashmë katastrofike" për popullsinë prej 2.1 milionë banorësh të Gazës.
Qeveria e Izraelit njoftoi qëllimin e saj për të pushtuar të gjithë Rripin e Gazës, pasi bisedimet indirekte me Hamasin për një armëpushim dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve dështuan muajin e kaluar.