Ushtria e Izraelit ka paralajmëruar të premten se do të veprojë me “forcë të paparë” në qytetin e Gazës, duke u kërkuar banorëve të largohen drejt jugut. Ushtria gjithashtu ka njoftuar se rruga e përkohshme e evakuimit, e hapur 48 orë më parë, është mbyllur.
Në një postim në rrjetin X, zëdhënësi i ushtrisë izraelite në gjuhën arabe, Avichay Adraee, u është drejtuar banorëve të Qytetit të Gazës.
“Nga ky moment, rruga Salah al-Din është e mbyllur për udhëtim drejt jugut. Forcat e Mbrojtjes së Izraelit do të vazhdojnë të veprojnë me forcë të paparë kundër Hamasit dhe organizatave të tjera terroriste”, ka shkruar ai.
Ai ka shtuar se e vetmja rrugë e hapur për të shkuar në jug është rruga Al-Rashid, dhe u ka bërë thirrje banorëve “t’i shfrytëzojnë këtë mundësi dhe t’u bashkohen qindra mijëra banorëve të qytetit që janë larguar drejt zonës humanitare”.
Të enjten, Qyteti i Gazës u godit sërish nga artileria, tanket dhe avionët luftarakë të Izraelit. Një zyrtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka thënë se janë duke ndodhur “valë të reja të zhvendosjes masive”, pasi rreth 60.000 persona janë larguar nga qyteti vetëm në 72 orët e fundit.
Zyrtarë ushtarakë izraelitë e përshkruajnë Qytetin e Gazës si një “bazë e fortë e Hamasit”. Deri tash supozohet se 450 mijë qytetarë janë larguar nga ky qytet.
Pjesë të mëdha të qytetit palestinez, që dikur ishte një qendër tregtare dhe kulturore, tani janë shkatërruar dhe janë bërë të pabanueshme. Deri para disa javësh, më shumë se një milion njerëz jetonin aty, shumë prej të cilëve ishin zhvendosur disa herë më parë.
Për çështjen e Gazës dhe të palestinezëve pritet që të diskutojnë më shumë se 140 liderë botërorë javën e ardhshme në kuadër të samitit të përvitshëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Por aty nuk do të jetë një lider. Mahmud Abbas, presidenti palestinez, nuk mund të shkojë në New York, pasi Washingtoni ia ka refuzuar vizën.
E Shtetet e Bashkuara kanë përdorur përsëri veton në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke bllokuar një rezolutë që kërkonte armëpushim të menjëhershëm në Gazë dhe qasje të pakufizuar humanitare në enklavën e rrethuar. Kjo është hera e gjashtë që SHBA-ja vendos veton ndaj një rezolute me këtë përmbajtje që nga fillimi i ofensivës izraelite në Gazë në tetor të vitit 2023.
Rezoluta, e propozuar nga Algjeria dhe e mbështetur nga shumica dërrmuese e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, kishte për qëllim të ndalonte menjëherë luftimet dhe të lejonte shpërndarjen e ndihmave jetike për civilët palestinezë.
Së fundmi Izraeli ka nisur një ofensivë të re duke përshkallëzuar edhe më tej konfliktin që ka trazuar Lindjen e Mesme. Ushtria izraelite, e cila thotë se dëshiron të shkatërrojë infrastrukturën ushtarake të Hamasit nuk ka dhënë një afat kohor për ofensivën, por kishte indikacione se mund të zgjasë me muaj.
Sipas autoriteteve të udhëhequra nga Hamasi në Gazë, nga luftimet kanë vdekur mbi 65 njerëz që nga viti 2023. Hamasi nuk e bën dallimin në mes të viktimave civilë ose militantë, por ka thënë se gratë dhe fëmijët përbëjnë rreth gjysmën e të vdekurve.
Lufta në Gazë filloi kur militantët e udhëhequr nga Hamasi sulmuan Izraelin jugor më 7 tetor 2023, duke vrarë rreth 1,200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë. 48 pengje, më pak se gjysma e të cilëve besohet se janë gjallë, mbeten në Gazë.