Izraeli ka goditur kryeqytetin e Jemenit, Sana, dhe provincën veriore al-Jawf të mërkurën, duke shkaktuar viktima dhe të plagosur, sipas mediave të kontrolluara nga rebelët Houthi.
Këto sulme janë pjesë e një përshkallëzimi që zgjat prej më shumë se një viti midis Izraelit dhe militantëve Houthi në Jemen, si pasojë e përhapjes së konfliktit nga lufta në Gaza.
Ushtria izraelite deklaroi se ka goditur kampe ushtarake, selinë e departamentit të “propagandës” ushtarake të Houthive dhe një vend depozitimi të karburantit.
Banorët e Sanas i thanë agjencisë Reuters se sulmi kishte si objektiv një bazë të fshehtë mes dy maleve, e cila përdorej si qendër komande dhe kontrolli. Dëmet e sakta nga sulmi nuk janë bërë ende të ditura.
Sipas dëshmitarëve, sulmet izraelite gjithashtu kanë goditur ministrinë e Mbrojtjes së Houthive në Sana.
Ky sulm ndodhi vetëm disa ditë pasi një tjetër sulm më 30 gusht vrau kryeministrin e qeverisë së kontrolluar nga Houthit dhe disa ministra të tjerë, duke qenë hera e parë që goditen figura të larta zyrtare të këtij grupi.
“Forcat izraelite ndërmorën këto sulme në përgjigje të sulmeve të kryera nga regjimi terrorist i Houthive ndaj shtetit të Izraelit, përmes dronëve dhe raketave që janë lëshuar drejt territorit izraelit”, thuhet në deklaratën e ushtrisë izraelite.
Houthit, të mbështetur nga Irani, kanë sulmuar anije në Detin e Kuq në shenjë solidariteti me palestinezët në Gaza. Ata gjithashtu kanë lëshuar raketa drejt Izraelit, shumica prej të cilave janë kapur dhe neutralizuar. Në përgjigje, Izraeli ka ndërmarrë disa sulme ndaj zonave të kontrolluara nga Houthit në Jemen, përfshirë edhe portin e rëndësishëm të Hodeidah.