Forcat izraelite kanë hipur në jahtin Madleen të dielën, derisa ai po përpiqej të dërgonte ndihmë humanitare në territorin palestinez.
Aktivistja e klimës, Gretha Thunberg është në mesin e personave që janë në bordin e anijes që u raportua se ishte në brigjet egjiptiane.
Të dielën, grupi i cili operon jahtin postoi një fotografi në Telegram që tregonte njerëzit me jelekë shpëtimi të ulur e që mbanin duart lartë.
“Ndihmë! Vullnetarët në Madleen janë rrëmbyer nga forcat izraelite”, shkroi grupi.
Ministria e jashtme e Izraelit ka thënë se jahti tani “po ecën i sigurt drejt brigjeve të Izraelit” dhe pasagjerët e tij “pritet të kthehen në vendet e tyre të origjinës”.
Anija ka një ekuipazh prej 12 personash, përfshirë aktivisten suedeze të klimës Greta Thunberg, Rima Hassan anëtare franceze e Parlamentit Evropian, dhe Omar Faiad gazetar francez të Al Jazeera.
Raportuesja speciale e OKB-së për të drejtat e njeriut në territoret e pushtuara palestineze, Francesca Albanese, u ka bërë thirrje anijeve në rajon që të vazhdojnë të sfidojnë bllokadën detare të Izraelit rreth Gazës, shkruan BBC.
Ajo gjithashtu i kërkoi qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të “kërkojë urgjentisht sqarime të plota” dhe “të sigurojë lirimin e menjëhershëm të anijes dhe ekuipazhit të saj”.
Ministria e jashtme palestineze ka bërë thirrje që aktivistët në bord të anijes të mbrohen.
Aktivistja suedeze e klimës Greta Thunberg tha se ekipi ishte “kapur dhe rrëmbyer në ujërat ndërkombëtare” nga “forcat që mbështesin Izraelin”.
“U bëj thirrje të gjithë miqve, familjes dhe shokëve të mi të ushtrojnë presion mbi qeverinë suedeze që të më lirojë mua dhe të tjerët sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ajo në video.
Ministria e jashtme e Izraelit në postimin e saj në X tha se aktivistët ishin “të padëmtuar” dhe se po shkonin “të sigurt” drejt Izraelit.
Ministri i mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, thotë se i ka udhëzuar Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) t'u tregojnë aktivistëve një video nga “masakra” e 7 tetorit kur të mbërrijnë në Izrael.
Në një postim në X, ai akuzoi Greta Thunberg dhe aktivistë të tjerë në bordin e Madleen për mbështetjen e Hamasit, duke shtuar se ishte “e përshtatshme” që ata të shihnin se çfarë mizorish kishte kryer Hamasi “kundër grave, të moshuarve dhe fëmijëve, dhe kundër të cilëve Izraeli po lufton për të mbrojtur veten”.
Katz shtoi se ata do të çoheshin në qytetin portual të Ashdodit.
Më 7 tetor 2023, Hamasi - i cilësuar si organizatë terroriste në Mbretërinë e Bashkuar - sulmoi Izraelin, duke vrarë rreth 1,200 njerëz dhe duke marrë më shumë se 250 pengje.