Izraeli ka rënë dakord të lejojë qasje të kufizuar të forcave siriane në zonën e Sweidës në jug të Sirisë për dy ditët e ardhshme, ka njoftuar të premten një zyrtar izraelit, pas disa ditësh përleshjesh të përgjakshme në dhe përreth qytetit të druzëve sirianë, Sweida.
“Në dritën e pasigurisë së vazhdueshme në jugperëndim të Sirisë, Izraeli ka rënë dakord të lejojë hyrjen e kufizuar të forcave të sigurisë së brendshme siriane në rajonin e Sweidës për 48 orët e ardhshme”, u tha gazetarëve zyrtari, i cili nuk pranoi të identifikohej.
Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme të Sirisë pati theksuar më herët të premten se forcat qeveritare nuk po përgatiten të zhvendosen sërish në provincën Sweida, sipas asaj që raportoi agjencia shtetërore e lajmeve, Reuters.
Trupat siriane u tërhoqën nga Sweida pasi të mërkurën u shpall një armëpushim, por përleshjet rinisën sërish të enjten në mbrëmje mes luftëtarëve nga fiset beduine dhe druzëve, të cilët përbëjnë një pakicë fetare në Siri.
Përleshjet në disa pjesë të provincës Sweida vazhduan edhe të premten, sipas banorëve të Sweidës dhe Ryan Marouf, drejtor i faqes lokale të lajmeve Sweida24.
Qeveria e Damaskut kishte dërguar këtë javë trupa në Sweida, që ndodhet pranë territoreve të kontrolluara nga Izraeli, me qëllim që të ndalonte disa nga përleshjet më të ashpra të brendshme në Siri që prej marrjes së pushtetit nga qeveria e përkohshme në fund të vitit të kaluar.
Grupi monitorues, “Rrjeti Sirian për të Drejtat e Njeriut” raportoi se ka dokumentuar 254 të vrarë gjatë katër ditëve të luftimeve, përfshirë personel mjekësor, gra dhe fëmijë.