Izraeli të premten ka kthyer në Gazë trupat e 15 palestinezëve, sipas zyrtarëve në spitalin Nasser në Khan Younis.
Ky është një hap tjetër në përmbushjen e kushteve të marrëveshjes së paqes, e cila është ndërmjetësuar nga SHBA-ja.
Trupat janë kthyer pasi militantët të enjten vonë dorëzuan trupin e një prej katër pengjeve izraelitë që ishin kapur pas sulmit të 7 tetorit 2023, pas të cilit nisi lufta në Gazë.
Izraeli e identifikoi trupin e kthyer si të Meny Godardit, i cili ishte marrë peng nga Kibbutzi Be’eri në jug të Izraelit. Gruaja e tij, Ayelet, u vra gjatë sulmit, raporton AP.
Derisa ka kaluar një fazë e marrëveshjes së paqes, që ka sjellë kthimin e trupave të 25 pengjeve të Izraelit, tre pengje të tjera janë ende në Gazë dhe duhet të dorëzohen.
Hamasi ka kthyer gjithashtu 20 pengje të gjalla në Izrael më 13 tetor.
Për çdo peng të kthyer, Izraeli ka dorëzuar trupat e 15 palestinezëve, një shkëmbim kyç për fazën e parë të marrëveshjes. Deri tani, janë kthyer 330 trupa palestinezë, nga të cilët vetëm 95 janë identifikuar zyrtarisht, sipas autoriteteve shëndetësore në enklavën palestineze.
Autoritetet shëndetësore në Gazë kanë thënë se identifikimi i trupave është i vështirë për shkak të mungesës së materialeve për testet e ADN-së.
Edhe pse shkëmbimi i trupave ka vazhduar, Izraeli dhe Hamasi kanë akuzuar njëri-tjetrin për shkelje të tjera të marrëveshjes.
Izraeli akuzon Hamasin se ka dorëzuar trupa të paplotë dhe ka inskenuar gjetjen e trupave, ndërsa Hamasi akuzon Izraelin për sulme ndaj civilëve dhe kufizim të ndihmave humanitare.
Pjesët e ardhshme të planit të 20 pikave përfshijnë krijimin e një force ndërkombëtare stabilizuese, formimin e një qeverie teknokratike palestineze dhe çarmatosjen e Hamasit.
Marrëveshja e paqes ka si qëllim të ndalojë luftën, e cila filloi pas sulmit të udhëhequr nga Hamasi në jug të Izraelit, ku u vranë rreth 1.200 persona dhe u morën peng 251 të tjerë.
Izraeli është përgjigjur me një ofensivë ushtarake masive, e cila ka shkaktuar mbi 69.100 viktima palestineze në Gazë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në enklavë.