Izraeli ka kryer “valë të sulmeve në shkallë të gjerë” gjatë natës në Teheran, ashtu si edhe Bejrut me cak zonat e Hezbollahut, ka thënë ushtria e tij të premten.
Në Iran, Izraeli njoftoi sulmet u kryen ndaj infrastrukturës kyçe të regjimit në Teheran.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoForcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) kanë thënë se kanë shënjestruar qendrat e komandës dhe ndërtesat shumëkatëshe në kryeqytetin libanez, si dhe një objekt ku ruheshin dronë.
“Qendrat e komandës kishin synim të përdoreshin nga Hezbollahu për të çuar përpara dhe të kryheshin një numër sulmesh terroriste kundër trupave të IDF-së dhe shtetit të Izraelit”, thuhet në njoftimin e Forcës.
IDF-ja ka shtuar se ka lëshuar 26 sulme në zonën Dahiyeh të Libanit. Një paralajmërim nga ushtria izraelite për të evakuuar jugun e Bejrutit ka nxitur kaos dhe panik atje ndërsa banorët u dyndën rrugëve për t’u larguar.
Trumpi kërkon “dorëzim pa kushte” të Iranit
Presidenti amerikan Donald Trump duket se i ka përjashtuar negociatat me Iranin për t’i dhënë fund luftën në Lindjen e Mesme, pasi ka shkruar në rrjete sociale të premten se nuk do të ketë marrëveshje pa “dorëzimin pa kushte” nga Teherani.
Trumpi ka deklaruar ditët e fundit se kushdo që e merr udhëheqjen e Iranit, ai duhet të jetë me pëlqimin e SHBA-së.
“Pas kësaj, dhe zgjedhjes së një lideri të pranueshëm, ne dhe shumë prej aleatëve e partnerëve tanë të mrekullueshëm dhe shumë të guximshëm do të punojnë pa pushim për ta rikthyer Iranin nga pragu i shkatërrimit, duke e bërë ekonomikisht më të madh, më të mirë dhe më të fuqishëm se kurrë më parë”, ka thënë ai.
Trumpi në fund të postimit të tij ka shkruar “Ta bëjmë Iranin të madh sërish”, sloganin që e ka përdorur qysh prej fushatës së tij presidenciale për SHBA-në: “Ta bëjmë Amerikën të madhe sërish”.
Presidenti i Iranit: Po bëhen përpjekje ndërmjetësimi për luftën në Lindjen e Mesme
Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, tha se janë duke u zhvilluar “përpjekje ndërmjetësimi” lidhur me luftën në Lindjen e Mesme.
Ai shtoi se disa vende kanë nisur ndërmjetësimin, pa i përmendur ato me emra.
“Ta bëjmë të qartë: ne jemi të përkushtuar për paqe të qëndrueshme në rajon, por nuk hezitojmë të mbrojmë dinjitetin dhe sovranitetin e vendit tonë”, shkroi presidenti në rrjetin X.
Ai theksoi se ndërmjetësuesit duhet t’u drejtohen "atyre që e nënvlerësuan popullin iranian dhe që e nxitën këtë konflikt", raportoi AP.
Ndërkohë sulmet reciproke mes Izraelit dhe Iranit janë intensifikuar të premten.
E, ministri i Jashtëm i Qipros, Constantinos Kombos, tha se të gjitha shenjat tregojnë se nuk shihet një fund i afërt i luftës në Iran.
“Nuk e di askush, madje as pjesëmarrësit kryesorë nuk mund ta dinë”, tha ai të premten, duke iu referuar kohës kur konflikti mund të përfundojë.
Qiproja aktualisht mban presidencën e radhës të Bashkimit Evropian deri në muajin korrik.
Azerbajxhani evakuon diplomatët nga Irani për arsye sigurie
Azerbajxhani ka nisur evakuimin e diplomatëve të tij nga Irani për arsye sigurie, njoftoi të premten ministri i Jashtëm i vendit, Jeyhun Bayramov.
Deklarata vjen një ditë pasi autoritetet në Baku thanë se katër dronë iranianë kanë kaluar kufirin dhe kanë plagosur katër persona në rajonin e Nakhçivanit, një territor i Azerbajxhanit, raporton Reuters.
Duke folur në një konferencë për media në Baku, Bayramov tha se Azerbajxhani po tërheq stafin nga ambasada e tij në Teheran dhe nga konsullata e përgjithshme në Tabriz, qyteti më i madh në veriperëndim të Iranit, ku jeton një numër i madh i azerbajxhanasve etnikë.
“Me urdhër të presidentit Ilham Aliyev, janë dhënë udhëzime për evakuimin e ambasadës sonë në Teheran dhe konsullatës në Tabriz. Këto udhëzime tashmë po zbatohen. Ne nuk mund të rrezikojmë jetën e njerëzve tanë”, tha ai.
Të enjten, Azerbajxhani reagoi ashpër ndaj hyrjes së dronëve iranianë në territorin e Nakhçivanit, ndërsa presidenti Aliyev paralajmëroi për masa hakmarrëse. Irani ka mohuar se ka lëshuar dronët.
Dy vendet kanë pasur prej kohësh marrëdhënie të tensionuara, veçanërisht për shkak të lidhjeve të ngushta të Azerbajxhanit me Izraelin, gjë që shpesh ka shkaktuar reagime nga Teherani.
Megjithëse Azerbajxhani dhe Irani kanë shumicë të popullsisë myslimane shiite, qeveria e Azerbajxhanit është një shtet laik.
Kryeministri i Libanit kërkon ndihmë ndërkombëtare
Kryeministri i Libanit, Nawaf Salam, i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndihmojë vendin e tij mes luftës së vazhdueshme mes Izraelit dhe Hezbollahut.
Ai paralajmëroi se Libani mund të përballet me një katastrofë humanitare për shkak të numrit të madh të njerëzve që janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, raporton AP.
Salam kritikoi si Izraelin ashtu edhe Hezbollahun për situatën aktuale, duke theksuar se shteti dhe populli i Libanit “nuk e kanë zgjedhur këtë luftë”.
Duke folur para shefave të misioneve diplomatike në Bejrut, ai u bëri thirrje vendeve mike të Libanit që ta mbështesin vendin në këtë situatë të vështirë.
Kryeministri gjithashtu kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar të ndihmojë për ndalimin e sulmeve të Izraelit dhe për të mbrojtur infrastrukturën e Libanit nga shkatërrimi.
Thirrja e kryeministrit libanez u bë pak kohë pasi Izraeli kreu një valë sulmesh në shkallë të gjerë të premten si në Teheran ashtu edhe në Bejrut.
E grupi libanez Hezbollah u bëri thirrje banorëve izraelitë që jetojnë brenda 5 kilometrave nga kufiri mes Libanit dhe Izraelit të largohen nga shtëpitë e tyre.
Në njoftim u paralajmërua që banorët e zonave pranë kufirit të evakuohen, ndërsa tensionet dhe përplasjet mes Hezbollahut dhe Izraelit vazhdojnë.