Izraeli po kërkon lirimin e menjëhershëm të të gjitha 50 pengjeve të mbajtura në Gaza, ka thënë një zyrtar izraelit, duke ngritur dyshime nëse do të pranojë një propozim të ri për një armëpushim 60-ditor për të cilin është rënë dakord nga Hamasi të hënën.
Qëndrimi i Izraelit është "në përputhje me parimet e vendosura nga kabineti për t'i dhënë fund luftës", ka thënë zyrtari, pa e hedhur poshtë në mënyrë të qartë planin nga ndërmjetësit Katar dhe Egjipt.
Propozimi, i cili parasheh lirimin e rreth gjysmës së pengjeve, është "pothuajse identik" me një propozim amerikan që Izraeli e kishte pranuar më parë, ka thënë Katari.
Burime palestineze kanë thënë se sipas propozimit, 10 pengje të gjallë dhe 18 të vdekur do të dorëzoheshin teksa palët negocionin një armëpushim të përhershëm dhe kthimin e pengjeve të tjera.
Izraeli beson se vetëm 20 nga 50 pengjet janë ende gjallë pas 22 muajsh lufte.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu nuk ka komentuar publikisht mbi propozimin, por ai ka deklaruar të hënën se Hamasi është "nën një presion të madh".
Më vonë këtë javë, pritet që kabineti izraelit të miratojë planin e ushtrisë për të pushtuar Qytetin e Gazës, ku sulmet e intensifikuara izraelite kanë bërë që mijëra njerëz të largohen.
Netanyahu njoftoi qëllimin e Izraelit për të pushtuar të gjithë Gazën - duke përfshirë zonat ku shumica e 2.1 milionë banorëve të saj palestinezë kanë kërkuar strehim, pasi bisedimet indirekte me Hamasin për një marrëveshje armëpushimi dështuan muajin e kaluar.
Të hënën në mbrëmje, Hamasi ka njoftuar përmes një deklarate se grupi i armatosur dhe fraksionet e tjera palestineze kanë miratuar një propozim për armëpushim të paraqitur nga ndërmjetësit egjiptianë dhe katarianë, delegacioneve të tyre në Kajro një ditë më parë.
Zyrtari i Hamasit, Taher al-Nunu, i ka thënë televizionit Al-Araby se ata nuk kanë kërkuar ndonjë ndryshim në propozim, të cilin ai e ka përshkruar si "një marrëveshje të pjesshme që çon në një marrëveshje gjithëpërfshirëse".
Ai gjithashtu ka theksuar se në ditën e parë të zbatimit të tij, negociatat do të fillonin me qëllim arritjen e një armëpushimi të përhershëm.
Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari, u ka thënë gazetarëve në Doha të martën se propozimi ishte "98%" i ngjashëm me atë të paraqitur nga i dërguari i SHBA-së, Steve Witkoff në qershor.
"Është brenda kufijve të planit Witkoff... Është një vazhdim i atij procesi”, ka thënë Ansari.
Witkoff ka propozuar një armëpushim 60-ditor sipas të cilit Hamasi do të lironte 10 pengje të gjallë dhe trupat e 18 pengjeve të vdekur në ditën e parë dhe të shtatë, në këmbim të 125 të burgosurve palestinezë që vuajnë dënime të përjetshme në burgjet izraelite, 1,111 të paraburgosur nga Gaza dhe trupave të 180 banorëve të Gazës.
Izraeli e kishte pranuar planin e Witkoff, por Hamasi e kishte hedhur poshtë atë, pjesërisht sepse nuk përfshinte një garanci se armëpushimi i përkohshëm do të çonte në një armëpushim të përhershëm.
