Botë

Izraeli intensifikon bombardimet në Gazë, familjet detyrohen të ikin

GAza

Forcat izraelite kanë intensifikuar ndjeshëm sulmet ajrore mbi qytetin e Gazës, duke shkaktuar shkatërrime masive dhe një valë të re zhvendosjesh të civilëve. Ndërsa Izraeli ka paralajmëruar ofensivë të re tokësore, ndërsa komuniteti ndërkombëtar ka shprehur shqetësim për përkeqësimin e krizës humanitare

Forcat izraelite kanë intensifikuar sulmin ndaj qytetit të Gazës me një valë sulmesh të rënda ajrore, duke shënuar përshkallëzim të fortë krahasuar me operacionet ushtarake të mëhershme.

Ofensiva aktuale bazohet kryesisht në bombardime ajrore, ku blloqe të tëra pallatesh dhe struktura të mëdha betoni janë shkatërruar plotësisht.

Shpërthimi i sulmeve në ditët e fundit ka shkaktuar zhvendosje masive të civilëve.

Izraeli ka paralajmëruar të gjithë banorët e qytetit të Gazës që të largohen menjëherë për të përgatitur një ofensivë të madhe tokësore.

Të dielën, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë thënë se rreth 250.000 njerëz kishin lënë qytetin dhe ishin zhvendosur në jug. Gjithashtu kanë thënë se kishin shkatërruar një ndërtesë shumëkatëshe që sipas tyre ishte përdorur “për të avancuar dhe kryer sulme terroriste” kundër trupave të tyre.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka thënë se ky qytet është bastioni i fundit i madh i Hamasit. Por plani për të pushtuar qytetin e Gazës ka sjellë kritika ndërkombëtare.

OKB-ja ka paralajmëruar se përshkallëzimi i ofensivës në një zonë ku tashmë është shpallur krizë urie do të shtyjë civilët drejt një katastrofe edhe më të thellë.

Banorët thonë se ushtria izraelite ka goditur shkolla dhe strehimore improvizuar, shpesh duke dhënë paralajmërime vetëm pak momente para bombardimeve.

Shumë familje janë detyruar të ikin në errësirë drejt perëndimit të Gazës.

“I shpëtuam vdekjes së sigurt, unë, burri im dhe tre fëmijët tanë”, ka thënë Saly Tafeesh, një nënë që po strehohet në qytet. “Vëllai im vdiq në krahët e mi pasi u qëllua nga një dron. Ne u larguam në errësirë drejt perëndimit të Gazës”.

Ushtria izraelite u ka thënë banorëve të evakuohen në jug të territorit por shumë familje thonë se nuk kanë mundësi të përballojnë udhëtimin, që kushton deri në 1.100 dollarë Ndërkohë, Hamasi ka intensifikuar thirrjet për banorët që të qëndrojnë dhe t’i rezistojnë largimit nga qyteti.

Rubein Khaled, baba me nëntë fëmijë që po përgatitet të zhvendoset në jug, shprehu frustrimin e tij.

“Imami i Hamasit në lutjet e së premtes akuzoi çdo person që largohet nga Qyteti i Gazës si të frikësuar nga beteja”, ka thënë ai. “Por pse ai nuk u thotë udhëheqësve të Hamasit që të dorëzohen dhe t’i lirojnë robërit izraelitë që kjo luftë të ndalet? As ne nuk duam të largohemi, por nuk kemi zgjedhje”.

Forcat izraelite ende nuk kanë arritur në disa lagje lindore që kanë mbetur kryesisht të paprekura që nga sulmet e mëparshme në janar, por fushata aktuale tregon se ato mund të kërkojnë të shkatërrojnë lagje të tëra.