Izraeli ka tërhequr negociatorët e tij nga Doha pasi i konsideroi bisedimet e ndërmjetësimit për një armëpushim në Gaza "në një rrugë qorre" për shkak të kërkesave të Hamasit, ka thënë të martën një zyrtar i lartë izraelit.
Zyrtari, i cili është i afërt me përfaqësuesin e Mossad-it që drejton bisedimet, akuzoi liderin e Hamasit në Gaza, Yahya Sinwar për sabotim të diplomacisë "si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të ndezur këtë luftë për Ramazanin", raportoi Reuters.
Hamasi e hodhi poshtë marrëveshjen të hënën vonë mbrëma, duke informuar ndërmjetësit se do të ruante qëndrimin e tij origjinal në lidhje me një armëpushim, që do të thotë se ata po kërkojnë tërheqjen e Forcave Mbrojtëse të Izraelit (IDF) nga Gaza, kthimin e palestinezëve në shtëpitë e tyre, dhe shkëmbimin e të burgosurve.
“Lëvizja Hamas informoi vëllezërit ndërmjetës pak më parë se lëvizja po i përmbahet pozicionit dhe vizionit të saj të paraqitur më 14 mars. Rrjedhimisht, lëvizja përsërit se Netanyahu dhe qeveria e tij ekstremiste mbajnë përgjegjësi të plotë për pengimin e të gjitha përpjekjeve negociuese dhe pengimin e arritjes së një marrëveshjeje deri më tani”, thuhej në një mesazh të publikuar në kanalin zyrtar Telegram të Hamasit.
Izraeli thuhet se ra dakord të shtunën për një kompromis të SHBA-së për numrin e të burgosurve palestinezë që do të lirohen për çdo peng izraelit të liruar. Ajo ishte e gatshme të lironte rreth 700 deri në 800 të burgosur dhe të konsideronte një kthim të qytetarëve palestinezë në veri të Rripit të Gazës, sipas raporteve të mediave izraelite.