Botë

Izraeli fillon ofensivën e re ushtarake në Gaza, pas sulmeve që vranë rreth 100 persona

Izrael

Izraeli ka nisur ofensivë të re madhore në Rripin e Gazës pas një vale sulmesh ajrore mbi territorin palestinez që lanë të vdekur më shumë se 100 persona, në atë që e përshkroi si përpjekje të re për ta detyruar grupin militant, Hamas, që të lirojë pengjet e mbajtura.

Në një deklaratë të bërë vonë të premten, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë bërë të ditur se kishin nisur sulme të gjera dhe kishin mobilizuar forcat ushtarake për të kapur zona strategjike në Rripin e Gazës, raporton The Guardian.

Njoftimi u bë në të njëjtën kohë me përfundimin e turit të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në rajonin e Lindjes së Mesme, që përfshiu ndalesa në Arabinë Saudite, Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, por jo në Izrael.

Më herët gjatë ditës së premte, Trumpi pranoi se njerëzit në Gaza po vuajnë nga uria dhe pretendoi se SHBA-ja do ta vendosë situatën nën kontroll.

Lufta në Gaza filloi kur militantët e udhëhequr nga Hamasi vranë 1.200 njerëz në vitin 2023 në Izraelin jugor. Ofensiva hakmarrëse e Izraelit ka vrarë mbi 50,000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas ministrisë së Shëndetësisë të Gazës.

Ofensiva e Izraelit ka zhdukur një pjesë të madhe të peizazhit urban të Gazës dhe ka zhvendosur rreth 90% të popullatës.