Botë

Izraeli bombardon një zonë afër pallatit presidencial në Damask

Siria

Ushtria izraelite ka njoftuar se avionët e saj luftarakë kanë bombarduar një zonë pranë pallatit presidencial në kryeqytetin e Sirisë, Damask, teksa kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar të mbrojë pakicën fetare druze pas dhunës ndërsektare të përshkallëzuar në ditët e fundit.

Netanyahu ka thënë se sulmi ishte “një mesazh i qartë për regjimin sirian” se Izraeli “nuk do të lejojë dislokimin e forcave në jug të Damaskut apo ndonjë kërcënim ndaj komunitetit druz”, ka raportuar BBC.

Nuk ka pasur ende një reagim nga qeveria siriane.

Udhëheqësi shpirtëror i druzëve të Sirisë, Sheik Hikmat al-Hijri, e ka dënuar dhunën si një “fushatë gjenocidale të pajustifikueshme” kundër komunitetit të tij dhe ka bërë thirrje për ndërhyrje nga “forcat ndërkombëtare për të ruajtur paqen”.

Qeveria siriane ka deklaruar se ka vendosur forca sigurie në zonat druze për të luftuar “grupet e paligjshme”, të cilat i ka akuzuar për nxitjen e përplasjeve.