Izraeli ka akuzuar Hamasin për sulm ndaj forcave izraelite në jug të Gazës, teksa ushtria po kryen sulme ajrore në qytetin e Rafahut, duke shënuar testin e parë e të madh të armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja.

Një zyrtar ushtarak izraelit ka thënë se Hamasi ka sulmuar forcat izraelite në Rafah, në jug të Gazës, me granata dhe snajper, duke e shtyrë Izraelin të kryejë sulme në zonë vetëm nëntë ditë pasi filloi armëpushimi.

Burimi izraelit i njohur me çështjen ka thënë se forcat izraelite pësuan viktima si rezultat i sulmeve. Incidenti ndodhi përtej Vijës së Verdhë - kufiri fillestar i tërheqjes izraelite i përcaktuar në marrëveshjen e armëpushimit.

Kryeministri Benjamin Netanyahu pritet të kërkojë një konsultim sigurie të dielën, duke përfshirë ministrin e Mbrojtjes dhe shefin ushtarak.

Hamasi nuk ka komentuar ende mbi akuzat, por një zyrtar i lartë në grup, Izzat Al-Rishq, ka thënë në Telegram se militantët mbeten të përkushtuar ndaj marrëveshjes së armëpushimit dhe ka akuzuar Izraelin për “shpikjen e preteksteve të dobëta për të justifikuar krimet e tij”. 

Hamasi thotë se nuk është në dijeni të përleshjeve në jug të Gazës

52 min. më parë / 19 tet 2025 14:20
Hamas

Photo: Associated Press

Hamasi thotë se nuk është në dijeni të asnjë ngjarjeje apo përleshjeje që po ndodh në Rafah në Gazën jugore.

Reagimi vjen pak pasi Izraeli e ka konfirmuar se ka kryer sulme ajrore në zonë për të "eliminuar kërcënimin" pasi "terroristët" qëlluan drejt trupave të Forcave Izraelite të Mbrojtjes (IDF).

“Ne pohojmë angazhimin tonë të plotë për të zbatuar gjithçka që u ra dakord, ndër të cilat më kryesorja është armëpushimi në të gjitha zonat e Rripit të Gazës. Ne nuk jemi në dijeni të ndonjë ngjarjeje apo përleshjeje që po ndodh në zonën e Rafah-ut, pasi këto janë zona të kuqe nën kontrollin e pushtuesit”, thuhet në reagimin e Hamasit, raporton BBC.

Sipas grupit palestinez, kontakti i tij me grupet e tyre të mbetura atje është ndërprerë që nga rifillimi i luftës në mars të këtij viti.

“Nuk kemi informacion nëse ata janë martirizuar apo janë ende gjallë që nga ajo datë. Prandaj, ne nuk kemi lidhje me asnjë ngjarje që po ndodh në ato zona dhe nuk mund të komunikojmë me asnjë nga luftëtarët tanë atje, nëse ndonjëri prej tyre është ende gjallë”, thuhet më tej në reagim.

IDF-ja ka akuzuar Hamasin për "shkelje flagrante" të armëpushimit në një deklaratë. Ndërkaq, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu u ka thënë forcave të sigurisë të "veprojnë me forcë kundër objektivave terroriste".

Izraeli konfirmon sulmet në Gazë, akuzon Hamasin për “shkelje flagrante” të armëpushimit

1 o. më parë / 19 tet 2025 14:10
Gaza

Photo: Associated Press

Forcat Mbrojtëse të Izraelit kanë lëshuar një deklaratë, përmes së cilës kanë konfirmuar sulmet në Gazën jugore.

“Më herët sot, terroristët lëshuan një raketë antitank dhe të shtëna me armë zjarri drejt trupave të IDF-së që operonin për të çmontuar infrastrukturën terroriste në zonën e Rafahut, në Gazën jugore, në përputhje me marrëveshjen e armëpushimit.Në përgjigje, IDF-ja ka filluar sulmet në zonë për të eliminuar kërcënimin dhe për të çmontuar boshtet e tuneleve dhe strukturat ushtarake të përdorura për aktivitet terrorist”, thuhet në deklaratë.

IDF-ja ka thënë më tutje se “këto veprime terroriste përbëjnë një shkelje flagrante të marrëveshjes së armëpushimit dhe IDF-ja do të përgjigjet me vendosmëri”.

Në përgjigje, Hamasi ka thënë se "mbetet i përkushtuar ndaj marrëveshjes së armëpushimit", duke akuzuar Izraelin për "shkelje të marrëveshjes dhe fabrikim pretekstesh për të justifikuar krimet e tij".