Sonny Olumati është lindur në Romë dhe ka jetuar në Itali gjithë jetën e tij, por vendi të cilin e quan shtëpi nuk e njeh atë si të vetin.
Për Italinë, Sonny është nigerian, si pasaporta e tij, dhe 39-vjeçari është i mirëpritur vetëm për derisa e ka valid lejeqëndrimin, shkruan “BBC”.
“Jam lindur këtu. Do të jetoj këtu. Do të vdes këtu”, thotë valltari dhe aktivisti. “Por të mos kesh shtetësinë është si...të refuzohesh nga shteti yt. Dhe nuk besoj se kjo është ndjesia që duhet të kemi”.
Kjo është arsyeja pse Sonny dhe të tjerët kanë bërë kampanjë për votim “PO” në referendumin në Itali që ka nisur të dielën e përfundon të hënën, i cili propozon shkurtimin e kohës së nevojshme për aplikim për shtetësi italiane.
Çdo fëmijë nën moshën 18-vjeçare automatikisht do të natyralizohet së bashku me prindërit e tij.
Zvogëlimi i pritjes nga 10 vjet në 5 do të sjellë vendin në një vijë me shumicën e shteteve tjera në Evropë dhe, mbështetësit argumentojnë, përmirësojnë integrimin.
Referendumi u iniciua nga një iniciativë qytetare dhe mbështetet nga grupet e shoqërisë civile. Por, që një referendum i tillë të jetë i vlefshëm, duhet të marrin pjesë 50 për qind të gjithë votuesve në Itali.
Giorgia Meloni, kryeministrja e Italisë që është nga një parti e ekstremit të djathtë, ka njoftuar se do ta bojkotojë votimin, duke thënë se ligji ekzistues për shtetësinë është “i shkëlqyer” e “shumë i hapur”.
Partitë tjera aleate me të po u bëjnë thirrje italianëve të shkojnë në plazh në vend se t’i drejtohen qendrave të votimit.
Sonny nuk do të marrë pjesë në votim po ashtu. Pa shtetësi, ai s’ka të drejtë vote.
Çështja se kush mund të bëhet italian është mjaft e ndjeshme.
Një numër i madh migrantësh dhe refugjatësh mbërrijnë në Itali çdo vit nga Afrika e Veriut nëpërmjet Mesdheut, ndërsa ndihmohen nga bandat e kontrabandës.
Qeveria e Melonit ka bërë debat të madh për uljen e numrit të mbërritjeve.
Por, ky referendum synon ata që kanë udhëtuar ligjërisht për punë në një vend me një popullsi që po tkurret dhe po plaket me shpejtësi.
Qëllimi është i kufizuar “të përshpejtohet procesi për marrjen e shpejtësisë, jo të lehtësohen kriteret e rrepta”.
“Njohja e gjuhës italiane, të mos kesh çështje penale, të kesh qëndrim të vazhdueshëm – të gjitha kërkesat e ndryshme mbeten të njëjta”, shpjegon Carla Taibi e partisë liberale “Më tepër Evropë”, një nga disa që mbështesin referendumin.
Reforma do të prekte banorët e huaj që janë më gjatë në Itali, që janë të punësuar e po ashtu edhe familjet e tyre. Do të preken nga ata nga fabrikat e prodhimit në veri e deri te ata që kujdesen për pensionistët në lagjet luksoze të Romës.
Deri 1.4 milion banorë do të kualifikohen menjëherë për shtetësi, ndërsa disa thonë se numri mund të jetë edhe më i madh.
“Këta njerëz jetojnë në Itali, studiojnë, punojnë dhe kontribuojnë. Kjo është për ndryshim të perceptimit për ta se ata nuk janë të huaj më – por italian”, ka thënë Taibi.
Reforma po ashtu do të ketë implikime praktike.
Si jo-italian, Sonny nuk mund të aplikojë për një punë në sektorin publik dhe madje pati vështirësi edhe të marrë një patentë shofer.
Kur u paraqit për të marrë pjesë në një reality-show “Fame Island” vitin e kaluar, ai mbërriti me vonesë dyjavore në sheshxhirimi në Honduras, sepse kishte pasur shumë probleme për të siguruar dokumentet e duhura.
Për një kohë të gjatë, Meloni e ka injoruar plotësisht referendumin. Media publike e Italisë, e drejtuara nga një aleat i ngushtë i Melonit, gjithashtu i ka kushtuar pak vëmendje votimit.
Nuk ka një fushatë substanciale “JO”, duke e bërë të vështirë të kesh një debat të ekuilibruar.
Por, arsyeja e vërtetë duket strategjike.
“Ata nuk duan ta rrisin ndërgjegjësimin për rëndësinë e referendumit”, ka shpjeguar profesori Roberto D’Alimonte i Universitetit Luiss në Romë. “Kjo është racionale, për t’u siguruar se pragu prej 50 për qind të mos arrihet”.
Kryeministrja Meloni përfundimisht njoftoi se do të paraqitej në një qendër votimi “për të treguar respekt për kutinë e votimit” – por refuzon të votojë.
“Kur nuk pajtohesh, ke edhe mundësinë të abstenosh”, tha Meloni në një emision televiziv këtë javë, pasi kritikët e akuzuan për mungesë respekti për demokracinë.
Sistemi i shtetësisë në Itali është “i shkëlqyer”, tha ajo, duke i dhënë shtetësi më tepër shtetasve të huaj se shumica e vendeve tjera në Evropë.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Statistikave (ISTAT), vetëm vitin e kaluar rreth 217 mijë e morën shtetësinë.
Por, rreth 30 mijë prej tyre ishin argjentinas me prejardhje italiane që jetonin në anën tjetër të botës, të cilët nuk kishin gjasa as ta vizitonin Italinë.
Ndërkohë partneri i koalicionit i Melonit, Roberto Vannacci i “Ligës” - parti e ekstremit të djathtë - akuzoi se ata që qëndrojnë prapa referendumit “po e sheshin shtetësinë tonë dhe fshijnë identitetin tonë”.
Kur pyetet Sonny se pse mendon se aplikimi i tij për shtetësi ka zgjatur mbi dy dekada.
“Është racizëm”, përgjigjet ai menjëherë.
Në një moment dosja e tij humbi plotësisht, dhe tani i është thënë se çështja e tij është “në pritje”.
“Kemi ministra që flasin për supremacinë e bardhë – zëvendësimin racor të Italisë”, kujton aktivisti një koment të vitit 2023 nga ministri i Bujqësisë nga vetë partia e Melonit. “...Unë kam lindur këtu 39 vjet më parë, kështu e di çfarë them”.
Është një akuzë që kryeministrja e ka mohuar vazhdimisht.
Insaf Dimassi 28-vjeçare e përcakton veten si “italiane pa shtetësi”.
“Italia më lejoi të rritem dhe të bëhem personi që jam sot, kështu që të mos shihesh si shtetase është shumë e dhimbshme dhe frustruese”, shpjegon ajo nga qyteti verior i Bolognas ku po e përfundon doktoratën.
Babai i Insafit udhëtoi në Itali për punë kur ajo ishte foshnjë dhe ajo e nëna e saj më pas iu bashkuan atij. Prindërit e saj më në fund morën shtetësinë italiane 20 ditë pasi Insaf mbushi 18 vjet. Kjo nënkuptoi se ajo u desh të aplikonte vetë nga e para, duke përfshirë edhe vërtetimin e të hyrave të qëndrueshme.
Insaf zgjodhi të studionte në vend të kësaj.
“Arrita këtu kur isha nëntëmuajshe dhe ndoshta në moshën 33 apo 34-vjeçare – nëse shkon mirë – më në fund mund të jem shtetase italiane”, thotë ajo e zemëruar.
Ajo kujton saktësisht kur statusi i saj si “e huaj” e goditi: ishte kur iu kërkua të kandidonte për zgjedhje përkrah një kandidati për kryetar bashkie në qytetin e saj ku jetonte.
Kur ajo u tregoi prindërve, me plotë entuziazëm, ata ia kujtuan se nuk ishte italiane dhe nuk i lejohet.
“Ata thonë se është çështje meritokracie të jesh shtetas, se duhet ta meritosh. Por, më shumë sesa të jem vetvetja, çfarë duhet të demonstroj?” – thotë Insaf. “Të mos lejohesh të votosh ose të përfaqësohesh, do të thotë të jesh i padukshëm”.
Në prag të referendumit studentët në Romë shkruan një thirrje në kalldrëmin e një sheshi të qytetit.
“Votoni ‘PO’ më 8 dhe 9 qershor”, shkruan.
Me një bojkot qeveritar dhe një publicitet kaq të pakët, shanset për ta arritur pragun e pjesëmarrjes prej 50 për qind duken të pakta.
Por, Sonny argumenton se është vetëm fillimi.
“Edhe nëse ata votojnë ‘JO”, ne do të qëndrojmë këtu – dhe do të mendojmë për hapin tjetër. Duhet të fillojmë të flasim për vendin e komunitetin tonë në këtë shtet”, ka thënë Sonny.