I ndërtuar si një ëndërr tropikale në stilin e Dubait dhe i mbushur me ambicie pa kufi, Ocean Flower Island, sot qëndron si një monument i heshtur i teprimit dhe iluzioneve ekonomike. Ishujt artificialë të Evergrande janë një përzierje magjepsëse mes luksit të tepruar, korrupsionit dhe shpresave të ngrira në beton. Ajo që duhej të ishte një parajsë moderne, është kthyer në një pasqyrë dramatike të krizës së pasurive të paluajtshme në Kinë.
I frymëzuar nga Dubai dhe i nxitur nga ambiciet e stërmëdha të një zhvilluesi kinez të diskredituar të pasurive të paluajtshme, Ocean Flower Island - një grup ishujsh artificialë në Detin e Kinës Jugore – dështoi si projekt biznesi. Megjithatë, vazhdon të mahnitë si një spektakël marramendës fantazie dhe marrëzie.
Projekti jashtëzakonisht i kushtueshëm, i përfunduar vetëm pjesërisht, me një qendër tregtare gjigante pa dyqane, një park argëtimi pa vizitorë, dhjetëra blloqe banimi shumëkatëshe të braktisura dhe plazhe artificiale ku noti është i rrezikshëm - ndihmon të kuptohet pse kriza shumëvjeçare e pasurive të paluajtshme në Kinë duket se nuk merr fund kurrë. Në këtë rrënojë ka kaq shumë para të humbura dhe shpresa të dështuara, saqë nuk mund të rregullohet lehtë.
“Kjo është një zonë e vdekur”, tha Zhou Qingbin, një vizitor nga një qytet bregdetar afër Danzhous. Qeveria bashkiake e Danzhousë tani kontrollon një pjesë të madhe të Ocean Flower Island dhe po përpiqet të kuptojë se çfarë të bëjë me të.
Ishujt u ndërtuan nga Evergrande, një zhvillues kinez i pasurive të paluajtshme që u shemb në vitin 2021 nën peshën e më shumë se 300 miliardë dollarëve borxh. Rënia e Evergrandes dhe problemet e zhvilluesve të tjerë të mëdhenj kanë tronditur besimin te pasuritë e paluajtshme, dikur një shtyllë kryesore e rritjes ekonomike të Kinës.
Shitjet e banesave të reja kanë rënë në nivelin më të ulët në më shumë se 15 vjet, sipas të dhënave të publikuara nga Zyra e statistikave në Pekin. Sektori është bërë një kokëdhembje aq e madhe, sa autoritetet kineze së fundmi kanë nisur të censurojnë postimet pesimiste në internet për tregun e pasurive të paluajtshme.
Insipirim nga Dubai
Megjithatë, Qeveria e Danzhousë duket se po ecën përpara me konceptin fillestar të Evergrandes. Projekti ishte menduar si një version kinez i Palm Jumeirah të Dubait - por edhe më i madh. Evergrande investoi rreth 12 miliardë dollarë, kryesisht të huazuara, në atë që duhej të ishte destinacioni më i madh i ndërtuar në Kinë për argëtim, konferenca dhe blerje, me ishujt të formuar si petalet e një luleje.
Megjithëse investimi ishte i madh, ai nuk mjaftoi për t’u ndërtuar apartamentet e parashikuara për afro 200 mijë banorë. Kjo e ka lënë Ocean Flower Island në një gjendje pezull. Para se të shembej, Evergrande tha se kishte përfunduar 60 mijë apartamente dhe ua kishte dorëzuar blerësve. Ndërtesa të tjera, megjithatë, nuk u ngritën kurrë përtej themeleve prej betoni, të cilat, të mbushura me ujë shiu, janë shndërruar në vende peshkimi. Tridhjetenëntë kulla banimi shumëkatëshe, pothuajse të përfunduara, por kurrë të shitura, kanë mbetur të izoluara mes një shkretëtire rrënojash.
I gjithë projekti ishte ideja e Xu Jiayinit, themeluesit dhe ish-kryetarit të Evergrande, dikur njeriu më i pasur i Kinës dhe tani në burg. Një rrëfim entuziast i Evergrande thoshte se Xu e nisi idenë për Ocean Flower Island gjatë një pushimi në Singapor në vitin 2011. I mbyllur në dhomën e tij, sipas kompanisë, ai skicoi dizajnet e një arkipelagu artificial dhe “mbikëqyri me përpikëri çdo detaj”.

Por duket se ai nuk kishte përcaktuar qartë se si projekti do të gjeneronte mjaftueshëm të ardhura për të ndërtuar ishujt artificialë dhe për të shlyer malin në rritje të borxheve ndaj huadhënësve kinezë dhe të huaj. Evergrande gjithashtu duhej të bindte zyrtarët në provincën jugore kineze të Hainanit të miratonin një sipërmarrje që shkelte ligjet për mbrojtjen e mjedisit dhe rregullore të tjera.
Zhang Qi, ish-kryebashkiaku dhe sekretari i Partisë Komuniste në Danzhou, i cili miratoi projektin Ocean Flower Island, u shpall fajtor për korrupsion në vitin 2020 dhe u dënua me burgim të përjetshëm. Edhe zyrtarë të tjerë lokalë janë dënuar për akuza të ndryshme korrupsioni, përfshirë ish-guvernatorin dhe sekretarin e partisë në Hainan, Luo Baoming, i cili u burgos për 15 vjet në dhjetor për marrjen e rreth 16 milionë dollarëve ryshfet.
Që nga fillimi, Ocean Flower Island, u shty përpara nga e njëjta ide që ushqeu ethet e ndërtimit në Kinë gjatë bumit ekonomik disadekadësh: ndërtoje dhe njerëzit do të vijnë.
Në një vend me 1.4 miliardë banorë dhe me pritshmëri për rritje të vazhdueshme të të ardhurave, kjo për vite me radhë ishte një bast i sigurt - derisa nuk ishte më. Në vitin 2021, Pekini, i shqetësuar nga huadhënia jashtë kontrollit, nxori një direktivë që kufizonte aksesin e zhvilluesve të pasurive të paluajtshme në kredi. Kreditë nga bankat, shumica e të cilave kontrollohen nga shteti, u ndalën. Evergrande u paralizua.
Qeveria e Danzhousë po përpiqet ta mbajë gjallë projektin. Ajo e promovon Ocean Flower Island për pushuesit kinezë dhe blerësit e mundshëm të banesave si një “koncept unik jetese”. Nuk ka vlerësime të besueshme për popullsinë aktuale, përtej mijëra njerëzve që blenë prona në fillim - një pjesë shumë e vogël krahasuar me parashikimet e hershme.
Ndryshe nga Palm Island në Dubai, ku vilat luksoze u blenë nga të famshëm dhe zyrtarë të huaj, Ocean Flower Island tërhoqi kryesisht pensionistë nga veriu i Kinës që kërkonin një vend të ngrohtë për dimër. Rruga kryesore e zonës rezidenciale është e mbushur me restorante që ofrojnë specialitete veriore, si petulla të avulluara, çajra si edhe shërbime shëndetësore për të moshuarit.
Zhang Qun, 70 vjeç, një pensionist nga provinca Heilongjiang, tha se kur bleu apartamentin e tij pesë vjet më parë, zyra e Evergrande ishte e mbushur me njerëz që shtyheshin për të blerë.
Sot, ajo zyrë është e mbuluar me broshura të vjetra dhe kontrata pronësie, dhe menaxhohet nga nëpunës nën mbikëqyrjen e qeverisë, të cilët merren me rregullimin e dokumenteve për prona të blera vite më parë. Nëse Zhang do ta shiste apartamentin tani, ai do të humbiste gjysmën e investimit.
Investim i pavend
Gjurmët e vetme të mbetura të Evergrandes janë disa aparate me ujë mineral. Xu, ish-kryetari i Evergrandes, u zhduk nga vëmendja publike në vitin 2021. Një raport i Prokurorisë së Lartë Popullore në mars të vitit të kaluar tha se ai ishte ndjekur penalisht për vepra që përfshinin mashtrim financiar dhe menaxhim të çrregullt financiar. Raporti nuk specifikonte nëse ai ishte dënuar apo ku ndodhej.
“Shumë njerëz humbën para për shkak të Evergrande dhe janë të zemëruar”, tha Li Yanbo, një agjent patundshmërie në Ocean Flower Island.
Ata që blenë apartamente herët bënë fitime të mëdha, të paktën në letër, pasi çmimi për metër katror u trefishua midis vitit 2015 dhe kulmit në vitin 2021. Ata që erdhën vonë, humbën gjithçka.
Megjithatë, shtoi Li, Evergrande nuk ishte krejtësisht negative.
“Disa njerëz mendojnë se janë mashtruar, por ka edhe të tjerë që nuk do ta kishin pasur kurrë mundësinë të blinin një apartament po të mos ishte Evergrande”, tha Li.
Çmimet e pronave në Ocean Flower Island, përfundoi ai, janë stabilizuar disi.

Pothuajse çdo qytet në Kinë ka kulla të papërfunduara që kanë mbetur pezull pas rënies së Evergrande. Por ndoshta askund tjetër mendjemadhësia e Xu-së nuk ka lënë një përqendrim kaq të madh tepricash sa në Ocean Flower Island.
Për të përballuar atë që supozohej të ishte një vërshim turistësh, Evergrande ndërtoi “The Castle”, një hotel me 5.100 dhoma. Dy pishinat e jashtme janë zbrazur dhe hoteli ka mbijetuar duke pritur turistë me buxhet të ulët nëpërmjet paketave sezonale të pushimeve. Për pjesën më të madhe të vitit, ai qëndron pothuajse bosh.
Zhurma e erës fishkëllen përmes dritareve të thyera të vilave luksoze bregdetare, të denja për oligarkë rusë. Disa prej tyre janë zënë nga punëtorë që flenë përtokë.
Rrugët tregtare, me arkitekturë italiane, gjermane, kineze dhe stile të tjera, duken si skena filmash të qyteteve të braktisura.
Një shesh i rrethuar nga tetë kisha false, përfshirë një ndërtesë me tulla të kuqe që ngjan me një katedrale, ishte menduar si një ambient për Instagram, për fotografi dasmash. Sot, këto kisha përdoren si sfond për shfaqje me dritë dhe zë.
Ocean Flower Island ende ka besimtarët e saj.
Wang Xian, një bankier i dalë në pension nga provinca veriore e Hebeit, pranoi se themeluesi i Evergrande “e teproi dhe mendoi se mund të bënte gjithçka”.
Por, vuri në dukje ai, me rreth 300 milionë kinezë që pritet të dalin në pension gjatë dekadës së ardhshme, shumë prej tyre do të kërkojnë një vend me diell dhe të sigurt për të jetuar.
“Nëse vetëm 1 për qind vijnë këtu”, tha ai, “ky vend do të jetë një sukses i madh”.