Botë

Ishujt e Karaibeve të japin pasaportë nëse blen shtëpi

Ishujt karaibe

Foto: BBC

Niveli i kërkesës për nënshtetësi përmes investimit (CBI) në ishujt e Karaibeve, sidomos nga qytetarët amerikanë të shqetësuar për paqëndrueshmërinë politike dhe shoqërore në vendin e tyre, ka pësuar rritje enorme në vitet e fundit. Vendet si Antigua, Dominika, Grenada, Saint Kitts dhe Saint Lucia ofrojnë pasaportë në këmbim të investimeve që variojnë nga blerja e pasurive të paluajtshme deri te donacionet shtetërore. Megjithatë, programet përballen me kritika ndërkombëtare, veçanërisht nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shqetësime të lidhura me sigurinë dhe abuzimet e mundshme.

Shfletoni shtëpitë në shitje në Karaibet Lindore dhe nuk janë më vetëm plazhet magjepsëse dhe mënyra e jetesës ato që po përdoren për t’i joshur blerësit.

Gjithnjë e më shumë listat e pronave po ofrojnë edhe pasaportë – teksa paqëndrueshmëria politike e shoqërore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës citohet si faktori kyç që po nxit rritje të interesimit.
Pesë nga ishujt e rajonit – Antigua dhe Barbuda, Dominika, Grenada, Saint Kitts dhe Nevis, si dhe Saint Lucia – ofrojnë nënshtetësi përmes investimit (CBI) duke filluar nga vetëm 200,000 dollarë.
Bli një shtëpi dhe gjithashtu merr pasaportë që të mundëson qasje pa viza deri në 150 shtete, përfshirë Britaninë e Madhe dhe zonën e Schengenit në Evropë.

Për shtresën e pasur, mungesa e taksave si ato mbi fitimin kapital dhe trashëgiminë – dhe në disa raste edhe mbi të ardhurat – është tjetër faktor tërheqës. Shto këtu që skemat e këtilla rajonale u lejojnë blerësve të ruajnë nënshtetësinë ekzistuese.

Në Antigua, agjentët e pasurive të paluajtshme po e kanë të vështirë të përballojnë nivelin e kërkesave, ka thënë Nadia Dyson, pronare e “Luxury Locations”.

Shumica e kërkesave nga SHBA-ja

“Deri në 70 për qind e të gjithë blerësve tani duan nënshtetësi, dhe shumica dërrmuese janë nga SHBA-ja”, ka theksuar ajo për BBC-në. “Nuk flasim për politikë me ta, porse mjedisi i paqëndrueshëm politik atje është pa dyshim faktor”.

“Një vit më parë, bëhej fjalë vetëm për blerës që kërkonin stil jetese dhe disa të interesuar për CBI. Tani të gjithë po thonë: ‘Dua një shtëpi me nënshtetësi’. Nuk kemi shitur kurrë kaq shumë më parë”, ka shtuar ajo.

Ndonëse programi i Antiguas nuk kërkon banim të përhershëm, disa blerës po kërkojnë të zhvendosen përgjithmonë, është shprehur Dyson, tek ka shtuar se “disa veçse janë zhvendosur tashmë”.
Qytetarët amerikanë përbëjnë pjesën më të madhe të aplikimeve për “CBI” në Karaibe gjatë vitit të fundit, sipas ekspertëve të migracionit në “Henley & Partners”.

Ukraina, Turqia, Nigeria dhe Kina janë ndër vendet e tjera më të zakonshme të origjinës së aplikuesve, ka njoftuar firma britanike që ka zyra në mbarë botën.

Kjo firmë ka shtuar se aplikimet për programet “CBI” në Karaibe janë rritur me 12 për qind që nga tremujori i katërt i vitit 2024.

Gjithçka, nga dhuna me armë deri tek antisemitizmi, po i mban amerikanët në ankth, sipas Dominic Volek nga kompania këshilluese.

“Rreth 10-15 për qind në fakt zhvendosen. Për shumicën është si politikë sigurimi kundër çdo gjëje që i shqetëson. Të kesh shtetësi të dytë konsiderohet si plan i mirë rezervë”, ka shpjeguar ai.
Volek është shprehur se përfitimet që pasaportat e Karaibeve ofrojnë për lehtësimin e udhëtimeve janë tërheqëse për njerëzit e biznesit, dhe gjithashtu mund të kenë një përfitim sigurie. “Disa klientë amerikanë preferojnë të udhëtojnë me një pasaportë që është më neutrale në aspektin politik”.
Para pandemisë së Covidit, Shtetet e Bashkuara as që ishin fare në radarin e “Henleyt”.

Kufizimet e lëvizjes ishin “tronditje e vërtetë” për personat e shtresës së pasur që ishin mësuar të udhëtonin lirshëm me avionë privatë, duke nxitur valën e parë të aplikimeve për “CBI” nga SHBA-ja. Interesi u rrit sërish pas zgjedhjeve presidenciale të viteve 2020 dhe 2024.

“Ka demokratë që nuk e duan Trumpin, por edhe republikanë që nuk i durojnë demokratët”, ka thënë Volek. “Në dy vjetët e fundit kemi kaluar nga zero zyra në Shtetet e Bashkuara, në tetë zyra në të gjitha qytetet kryesore, përderisa dy deri në tri të tjera do të hapen gjatë muajve në vijim”.
Robert Taylor, nga Halifaxi i Kanadasë, kishte blerë pronë në Antigua, ku edhe planifikon të zhvendoset pasi të dalë në pension këtë vit.

Ai ka investuar 200,000 dollarë pak para se kufiri minimal për investim në pasuri të paluajtshme të ngrihej në 300,000 dollarë në verën e vitit të kaluar.

Duke qenë shtetas, ai jo vetëm që shmang kufizimet për qëndrimin afatgjatë, por gjithashtu ka fituar lirinë e nevojshme për të përfituar nga mundësitë e biznesit. 

“Zgjodha Antiguan, sepse ka ujë të mrekullueshëm, njerëzit më duken shumë, shumë miqësorë dhe gjithashtu moti është fantastik për pjesën e mëvonshme të jetës sime”, ka thënë Taylor.

Dilemat etike

Megjithatë, programe të tilla nuk janë pa polemika. Kur shitja e pasaportave u propozua për herë të parë në vitin 2012 nga qeveria e atëhershme e Antiguas si mënyrë për të stimuluar zhvillimin ekonomik, disa e konsideruan atë si të dyshimtë në rrafshin etik.

Protestuesit dolën në rrugë për të shprehur kundërshtimin e tyre, ka rikujtuar ish-kryetarja e Parlamentit, Gisele Isaac. “Ekzistonte një ndjenjë nacionalizmi; njerëzit ndienin sikur po e shisnim identitetin tonë, në njëfarë mënyre, te njerëz që nuk dinin asgjë për ne”, ka shtuar ajo.

Kryetarët e disa vendeve të tjera të Karaibeve që nuk ofrojnë programe “CBI” kanë qenë gjithashtu në mesin e kritikëve, përfshirë kryeministrin e Saint Vincent dhe Grenadines, Ralph Gonsalves. 
Ai ka deklaruar më parë se nënshtetësia nuk duhet të jetë “mall për shitje”.

Në komunitetin ndërkombëtar ekziston frika se mbikëqyrja e dobët mund t’ua hapë rrugën kriminelëve për t’i kaluar kufijtë.

Bashkimi Evropian ka kërcënuar se do të revokojë qasjen pa viza për vendet e Karaibeve që ofrojnë nënshtetësi përmes investimit (CBI), ndërkohë që SHBA-ja më parë ka shprehur shqetësime për mundësinë që skemat e tilla të përdoren si mjet për shmangie taksash dhe krime financiare.

Një zëdhënëse e Komisionit Evropian i ka thënë BBC-së se BE-ja po i “monitoron” pesë skemat e Karaibeve, teksa ka qenë në bisedime me autoritetet përkatëse që nga viti 2022.

Ajo ka bërë të ditur se vlerësimi i vazhdueshëm po synon të vërtetojë nëse nënshtetësia përmes investimit përbën “abuzim të regjimit pa viza që këto vende gëzojnë ndaj BE-së dhe nëse mund të sjellë rreziqe sigurie për bllokun evropian”.

Komisioni ka mirëpritur reformat e ndërmarra nga ishujt, për të cilat ka thënë se do të ndikojnë në vlerësimin përfundimtar.

Kontrolli i aplikuesve

Në anën tjetër, pesë vendet e Karaibeve kanë reaguar me zemërim ndaj pretendimeve se nuk po bëjnë mjaftueshëm për të kontrolluar aplikuesit.

Kryeministri i Dominikës, Roosevelt Skerrit, e ka përshkruar programin e vendit të tij si “të qëndrueshëm dhe transparent”, tek ka shtuar se autoritetet kanë punuar shumë për të garantuar integritetin e tij.

Qeveria ka njoftuar se shitja e pasaportave ka gjeneruar mbi 1 miliard dollarë që nga fillimi i nismës në vitin 1993, duke financuar infrastrukturë jetike, përfshirë një spital modern.

Në Saint Lucia, kryeministri Philip J Pierre ka theksuar se ishulli ndjek standardet më të larta të sigurisë për të garantuar që CBI-ja të mos ndihmojë ose të mos kontribuojë pa dashje në aktivitete të jashtëligjshme.

Nevoja për të kënaqur fuqitë botërore duke rritur të ardhurat është ekuilibër i vështirë për vendet e vogla të Karaibeve, që varen kryekëput nga fluksi i turizmit.

Programet “CBI” u cilësuan si linjë shpëtimi gjatë samitit rajonal të industrisë në muajin prill, teksa fondet përdoren për gjithçka – nga pastrimi pas fatkeqësive natyrore deri te mbështetja e skemave kombëtare të pensioneve. Kryeministri i Antiguas, Gaston Browne, ka deklaruar se paratë e mbledhura e kanë shpëtuar vendin nga falimentimi gjatë dekadës së fundit.

Përveç blerjes së pasurive të paluajtshme, rrugët e tjera për të fituar nënshtetësinë në Karaibe përmes investimit përfshijnë zakonisht donacionet në fondet e zhvillimit kombëtar apo diçka të ngjashme. 
Këto kontribute variojnë nga 200,000 dollarë në Dominikë për një aplikues të vetëm, deri në 250,000 dollarë për një aplikues kryesor dhe tre anëtarë të familjes së tij që i plotësojnë kushtet në Dominikë dhe Saint Kitts. Ndërkohë, në Antigua, investitorët kanë gjithashtu mundësinë të bëjnë donacion prej 260,000 dollarësh për Universitetin e Indive Perëndimore.

Përballë presionit ndërkombëtar, ishujt janë zotuar për masa të reja për të forcuar mbikëqyrjen, duke përfshirë themelimin e rregullatorit rajonal për të vendosur standarde, monitoruar funksionimin dhe siguruar përputhshmërinë.

Gjithashtu, gjashtë parime të dakorduara me SHBA-në përfshijnë përmirësim të kontrolleve të sigurisë, auditime të rregullta, intervista të detyrueshme me të gjithë aplikuesit dhe eliminimin e boshllëkut ligjor që më parë i lejonte një aplikuesi të refuzuar paraprakisht të dorëzonte kërkesën te ndonjë vend tjetër i Karaibeve.

Në ditët e sotme, shitja e pasaportave përbën nga 10 për qind deri në 30 për qind të Bruto Produktit të Brendshëm (BPB) të ishujve.

Andre Huie, gazetar në Saint Kitts, ka thënë se programi “CBI” i vendit të tij “në përgjithësi mbështetet gjerësisht”. “Publiku e kupton vlerën e tij për ekonominë dhe vlerëson atë që qeveria ka arritur të bëjë me ato para”.