Gjykata Supreme e Brazilit ka vendosur të hënën që të shqiptojë masën e arrestit shtëpiak për ish-presidentin brazilian, Jair Bolsonaro, në prag të gjyqit ndaj tij për komplot të dyshuar për grusht-shtet, duke nënvizuar vendosmërinë e gjykatës përkundër tarifave dhe presionit në rritje nga presidenti amerikan Donald Trump.
Anëtari i trupit gjykues, Alexandre de Moraes, i cili ishte sanksionuar javën e kaluar nga Departamentit amerikan i Thesarit – e ka lëshuar urdhrin për arrestimin e Bolsonaros, ka shkruar Reuters.
Në kuadër të vendimit përmendet mosrespektimi nga ana e Bolsonaros kundrejt urdhrave kufizues të vendosur më parë, për shkak të dyshimeve se kishte kërkuar ndërhyrjen e Trumpit në këtë çështje.
Bolsonaro është duke u gjykuar për akuzat se ka bashkëpunuar me aleatët e tij, me qëllimin për të përmbysur në mënyrë të dhunshme rezultatin zgjedhor të vitit 2022.
Trumpi e ka cilësuar këtë çështje si “gjueti shtrigash”, tek e ka përdorur atë si pretekst për të vendosur tarifa prej 50 për qind ndaj mallrave braziliane, që pritet të hyjnë në fuqi këtë javë.
Në Departamentin amerikan të Shtetit e kanë dënuar urdhrin për arrest shtëpiak, duke deklaruar se gjykatësi Moraes po përdor institucionet braziliane për të heshtur opozitën dhe për të degraduar demokracinë.
Nuk u dhanë detaje të mëtejshme, ndonëse Trumpi ka deklaruar se SHBA-ja mund të vendosë tarifa edhe më të larta ndaj importeve nga Brazili.
Gjykimi pritet të përfundojë në javët në vijim dhe nëse gjendet fajtor, Bolsonaro mund të dënohet me burgim deri në 40 vjet.