Ish-magnati i kriptovalutave Do Kwon është dënuar të enjten me 15 vjet burgim të enjten, pasi një rënie prej 40 miliardë dollarësh zbuloi se ekosistemi i tij i kriptovalutave ishte mashtrim, raporton agjencia “AP”. Viktimat thanë se 34-vjeçari, ekspert i teknologjisë financiare, e përdorimi besimin e tyre si armë për t’i bindur të investonin.
Kwon, i diplomuar në Stanford e i njohur nga disa si “mbreti i kriptovalutave”, kërkoi falje pasi dëgjoi viktimat. Njëri nga viktimat ishte i pranishëm në seancën, ndërsa një tjetër foli nëpërmjet lidhjes telefonike.
Një prej viktimave tha se kishte menduar të bënte vetëvrasje pasi babai i tij humbi paratë e pensionit në skemën e Kwonit. Gjykatësi Paul Engelmayer tha se rekomandimi i qeverisë për një dënim prej 12 vjet burgim ishte “paarsyeshëm i butë” dhe kërkesa e mbrojtjes për pesë vjet ishte “krejtësisht e paimagjinueshme dhe jashtëzakonisht e paarsyeshme”. Kwon përballej me dënim maksimal prej 25 vjetësh burgim.
“Vepra juaj penale bëri që njerëzit të humbin 40 miliardë dollarë në para të vërteta, jo ndonjë humbje letre”, tha Engelmayer.
Gjykatësi e quajti “një mashtrim të një shkalle masive”.
Kwon u deklarua fajtor në Gjykatën Federale të Manhattanit në gusht për akuzat për mashtrim që rrjedhin nga rënia e Terraform Labs, firmë me seli në Singapor që ai e bashkëthemeloi në vitin 2018.
Humbja tejkaloi humbjet nga mashtrimet e themeluesit të FTX, Sam Bankman-Fried dhe bashkëthemeluesit të OneCoin, Karl Sebastian Grenwood, thanë prokurorët. Gjykatësi Engelmayer tha se mund të ketë pasur një milion viktima.
Terraform Labs kishte reklamuar TerraUSD si “stablecoin” të besueshëm – një lloj kriptomonedhe që zakonisht lidhet me asete të qëndrueshme për të parandaluar luhatjet drastike të çmimeve. Por, prokurorët thanë se ishte një iluzion i mbështetur nga infuzione të jashtme parash që u shembën pasi ra dukshëm nën vlerën 1 dollar. Rrëzimi shkatërroi investuesit e TerraUSD dhe po ashtu monedhën e saj simotër, Luna, duke goditur “tregjet e kriptovalutave”.
Kwon u përpoq të rindërtonte Terraform Labs në Singapor përpara se të ikte në Ballkan, thanë prokurorët. Ai kaloi 17 muaj në burg në Mal të Zi pas arrestimit të tij më 23 mars të vitit 2023, ndërsa kishte udhëtuar me pasaportë false.
Kwon pranoi të hiqte dorë nga 19 milionë dollarë si pjesë e marrëveshjes së pranimit të fajësisë. Avokatët e tij argumentuan se sjellja e tij nuk buronte nga lakmia, por nga arroganca dhe dëshpërimi. Engelmayer ka hedhur poshtë kërkesën që Kwon të deportohet në Kore të Jugut për ta vuajtur dënimin atje. Edhe në Kore të Jugut ai përballet me akuza, ndërsa atje jeton gruaja e tij dhe vajza 4-vjeçare.
“Kam kaluar pothuajse çdo moment duke menduar se çfarë mund të kisha bërë ndryshe dhe çfarë mund të bëj për të rregulluar gjërat”, tha Kwon.
Ai tha se dëgjimi i dëshmive të viktimave e trishton dhe ia kujton humbjet që ka shkaktuar.
Një viktimë tha se pasi humbi paratë bashkëshortja u divorcua me të dhe djemtë e tij u desh ta linin kolegjin dhe ai u detyrua të kthehej në Kroaci për të jetuar me prindërit pas falimentimit të TerraUSD. Ai tregoi se falimentimi ia zhduku kursimet familjare.
Një tjetër tha se duhet të jetojë me faj pasi i bindi vjehrrit dhe qindra organizata jofitimprurëse për të investuar.
Stanislav Trofimchuk tha se investimi i tij familjar ra nga 190 mijë dollarë në 13 mijë.
“17 vjet të jetës sonë u zhdukën”, tha ai.