Botë

Ish-drejtori i FBI-së merret në pyetje pas postimit kontrovers për Trumpin

James Comey

James Comey

Ish-drejtori i FBI-së, James Comey, është marrë në pyetje nga Shërbimi Sekret të premten në lidhje me postimin e tij në rrjetet sociale, që anëtarët e Partisë Republikane kanë këmbëngulur se ishte thirrje për dhunë ndaj presidentit amerikan Donald Trump, transmeton AP.

Postimi ishte pjesë e hetimeve të administratës Trump dhe kishte për qëllim të ndihmonte autoritetet të vlerësonin përmbajtjen dhe prirjen e postimit, si dhe nëse Comey kishte synuar të kërcënonte presidentin amerikan, akuza që ky i fundit i ka kundërshtuar.

Ish-drejtori i FBI-së kishte postuar në Instagram një foto të guaskave të detit ku shkruhej numri “8647”. Numri 86 është term zhargon, që mund të përkufizohet si “të heqësh qafe” apo siç është përdorur kohët e fundit, “të vrasësh”. Trumpi është presidenti i 47-të i SHBA-së. “Formim i bukur i guaskave”, ka komentuar Comey gjatë ditës së djeshme para se ta fshinte postimin.

Postimi i Comeyt

I pyetur rreth situatës gjatë një interviste për transmetuesin amerikan “Fox News”, Trumpi ka konstatuar se postimi i Comeyt ishte thirrje e pastër për atentat kundër tij.

“Ai e dinte saktësisht se çfarë do të thoshte ajo. Edhe një fëmijë e kupton se çfarë do të thotë. Nëse je drejtori i FBI-së dhe nuk e di se çfarë do të thotë, atëherë po të tregoj se ajo do të thotë vrasje. E thotë qartë dhe me zë të lartë”, ka thënë presidenti amerikan.

Sipas tij, vendimi përfundimtar për rastin i takon prokurores së Përgjithshme, Pam Bondi.

Trumpi dhe Comey kanë pasur marrëdhënie të tensionuar që daton shumë vite më parë.

Comey ishte drejtor i FBI-së në kohën kur Trumpi mori detyrën e presidentit për herë të parë në vitin 2017, pasi ishte emëruar nga ish-presidenti Barack Obama dhe kishte shërbyer më herët si zyrtar i lartë në Departamentin e Drejtësisë gjatë administratës së presidentit George W. Bush.