Botë

Irani nxjerr protestues pro-qeveritarë në rrugë

Iran

Foto: Associated Press

Irani ka nxjerrë të hënën dhjetëra mijëra demonstrues proqeveritarë në rrugë, në një shfaqje force pas protestave mbarëkombëtare që sfiduan teokracinë e vendit.

Televizioni shtetëror iranian ka transmetuar pamje të demonstruesve që vërshonin drejt Sheshit Enghelab, ose Sheshit të “Revolucionit Islamik”, në kryeqytetin Teheran.

Mediumi e ka quajtur demonstratën një “kryengritje iraniane kundër terrorizmit amerikano-sionist”, pa adresuar zemërimin e thellë në vend lidhur me ekonominë e dobët të shtetit, e cila ndezi protestat më shumë se dy javë më parë.

Televizioni shtetëror ka transmetuar pamje të demonstratave të tilla në mbarë vendin, duke u përpjekur të sinjalizojë se protestat janë kapërcyer, ashtu siç kishte pretenduar më herët gjatë ditës ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi.

Ndërkohë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka thënë se Irani dëshiron të negociojë me Uashingtonin pas kërcënimit të tij për të goditur Republikën Islamike për shkak të shtypjes së përgjakshme të protestuesve.

Deklarata e Trumpit ka ardhur në kohën kur aktivistët thanë të hënën se numri i të vdekurve nga demonstratat mbarëkombëtare është rritur në të paktën 544.

Irani nuk pati reagim të menjëhershëm ndaj këtyre komenteve, të cilat erdhën pasi ministri i Jashtëm i Omanit, prej kohësh ndërmjetës mes Uashingtonit dhe Teheranit, udhëtoi në Iran këtë fundjavë.

Mbetet gjithashtu e paqartë se çfarë saktësisht mund të premtojë Irani, veçanërisht pasi Trumpi ka vendosur kërkesa të rrepta lidhur me programin e tij bërthamor dhe arsenalin e raketave balistike, të cilat Teherani këmbëngul se janë thelbësore për mbrojtjen kombëtare.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, duke folur para diplomatëve të huaj në Teheran, ka këmbëngulur se “situata ka ardhur plotësisht nën kontroll”, në deklarata të ashpra ku fajësoi Izraelin dhe SHBA-në për dhunën, pa ofruar prova.