Zyrtarë iranianë kanë bërë të ditur se do të zhvillojnë bisedime me partnerët kryesorë aziatik, Kinën dhe Rusinë, në margjinat e samitit të Organizatës për Bashkëpunim të Shanghait të martën, teksa Teherani zyrtar kërkon mbështetje pas luftës 12-ditore me Izraelin në muajin e kaluar, ka shkruar Reuters.
“Do të mbajmë takime dypalëshe me ministrin e Jashtëm të Kinës, e cila natyrisht se ka rëndësinë e saj në gjendjen e tanishme, si dhe me ministrin e Jashtëm të Rusisë”, ka shkruar kryediplomati iranian, Abbas Aragchi, në rrjetin social Telegram.
Organizata për Bashkëpunim të Shanghait (OBSH) është grupim politik dhe i sigurisë, anëtarë të së cilit janë Kina, Rusia, India, Pakistani e Irani. Takimi i 25-të i ministrave të Jashtëm të OBSH-së po mbahet në qytetin verior kinez të Tianjinit.
Në qershor, Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës lansuan sulme ajrore kundër impianteve bërthamore të Iranit, për të cilat kanë pretenduar se janë pjesë e programit bërthamor që ka për qëllim të prodhojë e zhvillojë armë të shkatërrimit në masë. E Teherani zyrtar i mohon këto akuza.
Që nga rivendosja e sanksioneve amerikane ndaj Republikës Islamike gjatë mandatit të parë (2017-2021) të presidentit amerikan Donald Trump, udhëheqësia iraniane i ka thelluar raportet me Moskën nëpërmjet një pakti 20-vjeçar, po ashtu edhe me Pekinin, i cili blen rreth 90 për qind të eksporteve iraniane të naftës.
“OBSH-ja është duke e hapur gradualisht vendin e saj në arenën globale, që do të thotë se po kalon përtej arenës rajonale dhe ka shumë çështje të ndryshme në agjendën e tij, përfshirë ato në fushat ekonomike, politike dhe të sigurisë”, ka vazhduar më tutje Araghchi.