Botë

Inteligjenca amerikane: Irani nuk po tallej, bota ishte në prag të kaosit ekonomik

Anija që transporton naftë kalon në Ngushticën e Hormuzit / 2018

Anija që transporton naftë kalon në Ngushticën e Hormuzit / 2018

Dhjetëra zyrtarë amerikanë kanë thënë se bota ishte në prag të kaosit ekonomik nëse do të mbyllej Ngushtica e Hormuzit, një prej arterieve kryesore për bartjen e naftës në botë.

Ngushtica e Hormuzit u raportua se do të mbyllej shkaku i luftës Izrael – Iran.

Siç raporton “Reuters”, ushtria iraniane ngarkoi mina detare në anije në Gjirin Persik muajin e kaluar, duke ngritur shqetësime në Uashington se Teherani po përgatitej të bllokonte Ngushticën e Hormuzit pas sulmeve izraelite.

Përgatitjet, të zbuluara nga inteligjenca amerikane, ndodhën pak kohë pasi Izraeli nisi sulmin e parë me raketa ndaj Iranit më 13 qershor, thanë zyrtarët, të cilët folën në kushte anonimiteti për të diskutuar çështje të ndjeshme të inteligjencës.

Ngarkimi i minave, të cilat nuk u vendosën në ngushticë, tregoi se Teherani ishte serioz në lidhje me mbylljen e një prej rrugëve më të ngarkuara të transportit detar në botë, një veprim që do të përshkallëzonte konflikt tashmë të ndezur dhe do të kërcënonte seriozisht tregtinë globale.

Burimet nuk zbuluan se si Shtetet e Bashkuara përcaktuan se minat ishin vendosur në anijet iraniane, por inteligjenca e tillë zakonisht mblidhet përmes imazheve satelitore, burimeve njerëzore të fshehta ose një kombinim i të dyja metodave.

Rreth një e pesta e dërgesave globale të naftës dhe gazit kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit dhe një bllokadë do të rriste çmimet e energjisë.

Çmimet globale të naftës kanë rënë me më shumë se 10% që nga sulmet e SHBA-së ndaj objekteve bërthamore të Iranit, pjesërisht për shkak të lehtësimit që konflikti nuk ka shkaktuar ndërprerje të konsiderueshme në tregtinë e naftës.