Botë

Inspektori gjerman dhe gruaja e tij përvetësuan mbi 1 milion euro nga matësit e parkimit

Gjermani

Një inspektor parkimi dhe gruaja e tij janë arrestuar me dyshimin për përvetësim të më shumë se 1 milion eurove nga matësit e parkimit të një qyteti të vogël gjerman.

Punonjësi i paidentifikuar i bashkisë mendohet se ka nxjerrë monedha nga matësit e parkimit në qytetin Kempten "në raste të shumta" dhe i ka vendosur ato në llogari bankare në të cilat gruaja e tij kishte qasje, ka thënë policia lokale në një deklaratë.

Një raport për pastrim parash nga një institucion financiar i alarmoi hetuesit për vjedhjen e dyshuar.
Inspektori tani përballet me akuza në lidhje me 720 raste të dyshuara vjedhjeje, ndërsa gruaja e tij përballet me akuza për ndihmë dhe inkurajim të vjedhjes, gjithashtu në 720 raste.

Kryebashkiaku i Kemptenit, Thomas Kiechle, ka thënë se ishte "i tronditur” nga rasti.

Në tetor, zyra e prokurorit publik të Kemptenit u informua se para të gatshme po depozitoheshin vazhdimisht në disa llogari bankare, sipas agjencisë gjermane të lajmeve DPA.

Policia më pas kontrolloi ambientet e zyrës në orët e para të 24 nëntorit, të njëjtën ditë kur u arrestuan burri 40-vjeçar dhe gruaja 38-vjeçare.

Ata tani po mbahen në qendra të ndara paraburgimi.

Nuk është e qartë se sa kohë mund t'i jetë dashur çiftit për të mbledhur shumën.

Në përgjigje të akuzave, Kiechle ka njoftuar emërimin e një komisioni për të "shqyrtuar proceset e punës së kaluar, për të zbuluar dobësitë e mundshme dhe për t'i korrigjuar ato në mënyrë të besueshme për të ardhmen".

Kempten është një nga vendbanimet më të vjetra në Gjermani. I vendosur në jug të vendit, ndodhet nën kodrat e Allgäu dhe ka rreth 70,000 banorë.