Botë

Industria private e dronëve në Evropë po lulëzon, ndërsa NATO-ja po e forcon mbrojtjen

Teknologjia anti-dron

Evropa është në një alarm pasi fluturimet e dronëve në hapësirat ajrore të shteteve anëtare të NATO-s kanë arritur në një shkallë të paparë në shtator. Udhëheqësit evropianë kanë rënë dakord të zhvillojnë “një mur dronësh” përgjatë kufijve të tyre për të zbuluar më mirë, gjurmuar dhe kapur dronët që shkelin hapësirën ajrore të Evropës. E industritë private të dronëve po përjetojnë rritje rekorde të kërkesave

Në një depo mbi 1.500 kilometra larg kryeqytetit të Ukrainës, Kiev, punëtorët në veri të Danimarkës po montojnë me kujdes pajisje kundër dronëve. Disa prej këtyre pajisjeve do të dërgohen në Kiev, me shpresën për ta bllokuar teknologjinë ruse në fushën e betejës, ndërsa të tjerat do të shpërndahen nëpër Evropë për të ndihmuar në luftimin e ndërhyrjeve misterioze të dronëve në hapësirën ajrore të NATO-s, që kanë vënë në alarm gjithë kontinentin, shkruan agjencia "AP".

Dy kompani daneze, të cilat më parë merreshin kryesisht me biznese të lidhura me mbrojtjen, tani thonë se po përjetojnë një rritje të madhe të kërkesës nga klientë të rinj që duan ta përdorin teknologjinë e tyre për t’i mbrojtur objektet si aeroportet, bazat ushtarake dhe infrastrukturën kritike — të gjitha të shënjestruara kohët e fundit nga fluturime të paautorizuara dronësh.

Teknologjia e zbulimit të dronëve me radar e “Weibel Scientific” u vendos më herët këtë vit në Aeroportin e Kopenhagës, përpara një samiti të rëndësishëm të Bashkimit Evropian, ku shfaqjet e dronëve të paidentifikuar çuan në mbylljen e hapësirës ajrore për disa orë në shtator. Ndërkohë kompania kundër dronëve “MyDefence”, nga depoja e saj në veri të Danimarkës, prodhon pajisje portative dhe të veshura me radiofrekuenca që ndërpresin lidhjen mes një droni dhe pilotit të tij për ta neutralizuar kërcënimin.

I ashtuquajturi “bllokim” është i kufizuar dhe ka rregulla të rrepta për të në Bashkim Evropian, por është përhapur gjerësisht në fushëbetejat e Ukrainës dhe është bërë aq i përhapur atje sa Rusia dhe Ukraina kanë filluar të vendosin dronë të lidhur me kabllo të holla me fije optike që nuk mbështeten në sinjalet e radiofrekuencave. 

Rusia gjithashtu po i pajis dronët sulmues me antena shtesë për të penguar përpjekjet e Ukrainës për bllokim.

Rritja e shfaqjes së dronëve misteriozë në hapësira ajrore

Lufta me dronë shpërtheu pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022. Rusia ka bombarduar Ukrainën me dronë dhe raketa, ndërsa caqe ishin hekurudhat, objektet energjetike dhe qytetet. Ukraina, në përgjigje ka nisur sulme të guximshme brenda Rusisë, duke përdorur dronë të cilat i ka prodhuar vetë. 

Por, Evropa në tërësi tash është në një alarm pasi fluturimet e dronëve në hapësirat ajrore të shteteve anëtare të NATO-s kanë arritur në një shkallë të paparë në shtator. Udhëheqësit evropianë kanë rënë dakord të zhvillojnë “një mur dronësh” përgjatë kufijve të tyre për të zbuluar më mirë, gjurmuar dhe kapur dronët që shkelin hapësirën ajrore të Evropës. Në nëntor, zyrtarët ushtarakë të NATO-s thanë se një sistem i ri amerikan kundër dronëve u vendos në krahun lindor të aleancës. 

Disa zyrtarë evropianë i kanë përshkruar këto incidente si tentim i Moskës për të testuar përgjigjen e NATO-s, gjë që ngriti pyetje se sa është e përgatitur aleanca për t’u përballur me kërcënimet nga Rusia. Sfidat kryesore përfshijnë aftësinë për të zbuluar dronë – ndonjëherë ngatërrohen me një zog apo aeroplan nga sistemi i radarëve – dhe për t’i rrëzuar ato me kosto të ulët. 

Kremlini ka hedhur poshtë pretendimet se Rusia qëndron pas disa fluturimeve të dronëve të paidentifikuar në Evropë. 

Andreas Graae, asistent profesor në Kolegjin Mbretëror Danez të Mbrojtjes, tha se ekziston “një nxitje e madhe” për të vendosur me shpejtësi sisteme antidronë në Evropë mes agresionit të Rusisë. 
‘Të gjitha vendet në Evropë po përpiqen të gjejnë zgjidhjet e duhura për t’u përgatitur për këto sfida të reja me dronë. Ne nuk i kemi të gjitha gjërat që duhen për të qenë mjaftueshëm të mirë për të zbuluar dronë dhe për të pasur sisteme të paralajmërimit të hershëm”, tha ai.

Vendosja e “makinerive para njerëzve”

E themeluar në vitin 2013, “MyDefence” prodhon pajisje që mund të përdoren për t’i mbrojtur aeroportet, ndërtesat qeveritare dhe infrastrukturën tjetër kritike. Por, drejtori ekzekutiv Dan Hermansen e quajti luftën Rusi – Ukrainë një “pikë kthese” për kompaninë e tij. 

Më shumë se 2000 njësi të detektorit të saj “Wingman” janë dorëzuar në Ukrainë, që kur Rusia nisi pushtimin gati katër vjet më parë. 

“Gjatë dy vjetëve të fundit, kemi dëgjuar në Ukrainë se ata duan t’i vënë makinat para njerëzve, për të shpëtuar jetë”, thotë Hermansen. 

“MyDefence” vitin e kaluar dyfishoi fitimet e saj në afërsisht 18.7 milionë dollarë krahasuar me vitin 2023. 

Pastaj erdhën fluturimet më herët këtë vit. Pos Aeroportit të Kopenhagës, dronët fluturuan mbi katër aeroporte më të vogla daneze, përfshirë dy që shërbejnë si baza ushtarake. 

Hermansen thotë se ato ngjarje “ia hapën sytë” shumë shteteve evropiane dhe shkaktuan rritje të interesimit për teknologjinë që përdor kompania e tij. 

“MyDefence” kaloi nga shumica dërrmuese e biznesit që lidhej me mbrojtjen te kërkesat nga zyrtarët që përfaqësojnë forcat policore dhe infrastrukturën kritike. 

“Kemi parë papritur se lufta me dronë nuk është vetëm diçka që ndodh në Ukrainë ose në krahun lindor, por është në thelb diçka për të cilën duhet të kujdesemi në një skenar kërcënimi të luftës hibride”, thotë ai.

Teknologjia e radarit përdoret kundër dronëve

Në krahun lindor të NATO-s, Danimarka, Polonia dhe Rumania po vendosin një sistem të ri armësh për t’u mbrojtur nga dronët. Sistemi amerikan “Merops”, i cili është mjaftueshëm i vogël për t’u futur në pjesën e pasme të një kamioni mesatar, mund të identifikojë dronë dhe t’i afrohet duke përdorur inteligjencën artificiale për të naviguar kur komunikimet satelitore dhe elektronike bllokohen. 
Qëllimi është që kufiri me Rusinë të jetë aq mirë i armatosur sa forcat ruse të dekurajohen nga kalimi i vijës kufitare nga Norvegjia në veri deri në Turqi në jug, thanë zyrtarët ushtarakë të NATO-s për “AP”. 
Në veri të Kopenhagës, Weibel Scientific ka prodhuar teknologji radari “Doppler” që nga vitet ’70. Zakonisht përdoret në sistemet e radarëve të gjurmimit për industrinë ajrore dhe hapësinore, tani po aplikohet për zbulim të dronëve si rasti në Aeroportin e Kopenhagës. 

Teknologjia mund ta përcaktojë shpejtësinë e një objekti, siç është një dron, bazuar në dyshimin e gjatës së valës së një sinjali që vjen mbrapsht. Pastaj është e mundur të parashikohet drejtimi i lëvizjes së objektit, tha drejtori ekzekutiv i Weibel Scientific, Peter Ropke. 

“Lufta në Ukrainë dhe veçanërisht mënyra se si ka evoluar gjatë dy vjetëve të fundit me teknologjinë e dronëve, do të thotë se ky lloj produkti është shumë i kërkuar”, thotë Ropke. 

Më parë këtë vit, Weibel siguroi një kontratë 76 milionë dollarësh, të cilën firma e quajti “porosia e saj më e madhe ndonjëherë”. 

Fluturimet e dronëve kanë rritur kërkesën edhe më shumë, ndërsa diskutimi rreth “murit të propozuar të dronëve” po vazhdon. Ropke tha se teknologjia e tij mund të bëhet një “komponent kyç“ i çdo mburoje të ardhshme të dronëve.