Në mbrëmjen kur Irani u fut në errësirë dhe interneti u ndërpre, qyteti i Rashtit u shndërrua në një skenë terrori. Protestat paqësore u përballën me zjarr, plumba dhe rrethim të plotë. The Guardian ka rindërtuar një kronologji të ngjarjeve tragjike të një nate protestash në këtë qytet
Të enjten, 8 janar, Irani u fut në terr. Në mes të protestave masive në të gjithë vendin, qeveria ndërpreu internetin, telefonatat dhe pothuajse çdo komunikim me botën e jashtme. Atë mbrëmje filloi një shtypje e dhunshme. Në disa qytete, forcat qeveritare hapën zjarr ndaj turmave, duke vrarë mijëra njerëz. Sipas disa vlerësimeve, numri i viktimave mund të ketë arritur dhjetëra mijëra brenda dy ditësh.
Ndërprerja e internetit bëri që e vërteta për atë që ndodhi - dëshmi, video, fotografi dhe raportime nga spitalet të mblidheshin shumë ngadalë.
Kur dhuna filloi, protesta po zhvilloheshin në më shumë se 200 qytete, sipas organizatave për të drejtat e njeriut.
Kjo është historia e asaj që ndodhi në njërin prej tyre.
E enjte, 8 janar – ora 17:00
Në momentin kur autoritetet iraniane ndërprenë internetin, Ali* (emër i ndryshuar), 36 vjeç, dhe miqtë e tij po marshonin drejt rrugës Shariati. Kjo rrugë ndodhet pranë pazarit të madh të qytetit Rasht, në Iranin qendror. Kur arritën atje, mijëra njerëz ishin tashmë në rrugë dhe po thërrisnin slogane për liri.
Protestat kishin nisur që të martën. Njerëz nga qytetet përreth po vinin në Rasht për t’u bashkuar. Ata u mblodhën te pazari i madh, treg i vjetër dhe i gjallë me shumë rrugica. Vendndodhja e tij, pranë xhamisë Haj Mojtahed dhe rrugëve kryesore të qytetit, e bënte atë qendrën e jetës së Rashtit dhe një pikë natyrore për protestat.
Atë mbrëmje, rrugicat ishin të mbushura plot. “Mendoj se kishte më shumë se 20 mijë njerëz rreth pazarit”, thotë Ali.
Në protesta kishte njerëz të çdo moshe. “Një mik imi kishte ardhur me gruan dhe dy vajzat e tij, njëra 9 dhe tjetra 12 vjeçe. Ishim të lumtur dhe të bashkuar për lirinë”, thotë ai.
Edhe kur kuptuan se interneti ishte ndërprerë, Ali nuk u shqetësua. “Nuk kishte rëndësi. Ishim të gjithë bashkë dhe nuk ndjenim rrezik”.
Rreth një kilometër larg rrugës Shariati ishte Siamak*, 40 vjeç. Ai kishte hezituar të bashkohej në protesta, sepse atmosfera i dukej e rëndë. Por e kuptonte pse njerëzit protestonin.
“Njerëzit kishin arritur në kufijtë e durimit. Nuk mund të përballonim as gjërat bazë”, thotë ai.
Ai tregon se kishte blerë 2 kilogramë mandarina në pazar për 580 mijë tomanë, rreth 3.40 funte - më shumë se paga ditore minimale. “Gjithçka ishte bërë e papërballueshme. Njerëzit qëndronin dhe nuk mund të blinin ushqim. Kjo shkaktoi zemërimin”, thotë ai.
Duke kaluar me veturë nëpër qytet, Siamak pa të moshuar, fëmijë dhe familje të tëra që po i bashkoheshin protestës. Adoleshentë zbrisnin nga makinat dhe vraponin drejt pazarit.
“U thashë: ‘Zoti ju ruajttë, shpresoj të jeni të sigurt’”, kujton ai.
Me kalimin e orëve, njerëzit filluan të ndiheshin më të fortë. “Pasdite, njerëzit ndiheshin në faj që qëndronin në shtëpi. Edhe prindërit thoshin: ‘Pse të mos dalim?’ Nuk ishin më arsye vetëm paratë. Ishte për dinjitetin”. Pastaj, edhe Siamak iu bashkua turmës.
Ora 20:00
Kur ra nata, askush nuk po largohej. Turmat ishin aq të mëdha sa lëvizja ishte e vështirë. Nga Bulevardi Moallem, rreth 15 minuta larg pazarit, Siamak arriti ngadalë në Sheshin e Bashkisë. Ai u ngjit në një çati për të parë më mirë.
“Turma ishte gjigante”, thotë ai. “Çdo rrugë ishte e mbushur”.
Në rrugën Shariati, Ali dhe miqtë e tij vazhdonin të thërrisnin slogane. Atmosfera ishte festive. Papritur, gjithçka ndryshoi.
“Ndjenja e fitores u kthye në frikë”, thotë Ali. “Nuk mund ta shpjegoj çfarë ndjeva në ato sekonda. Zemra na rrihte fort”.
Ata po rrethoheshin nga forca sigurie dhe persona civilë me maska. Ali pa automjete Toyota Hilux të bardha, persona me mitraloza që hynin në mes të turmës. Edhe atëherë, ata nuk e imagjinonin çfarë do të ndodhte më pas.
Nga afër pazarit, Siamak dëgjoi të shtënat.
“Dëgjova shpërthime dhe zjarr të pandërprerë nga drejtimi i pazarit. Njerëzit filluan të vraponin jashtë. Disa bërtisnin. Disa ishin të gjakosur. Prej tyre mësuam çfarë po ndodhte brenda”, thotë ai.
Shpejt, ai ndjeu erën e tymit dhe pa një dritë të kuqe në qiell. Pazari ishte përfshirë nga flakët.
Ora 20:30
Ali thotë se ishte rreth orës 20:30 kur pa se pazari po digjej. Nuk dihet saktësisht ku, si dhe kur nisi zjarri, por ai thotë se “flakët u përhapën shumë shpejt”.
“Njerëzit brenda ishin përballë një dileme: të vraponin drejt nesh ose të përpiqeshin të shpëtonin ata që ishin në zjarr. Sapo tymi filloi të përhapej dhe ne po përpiqeshim të hapnim rrugë, pamë turma të mëdha njerëzish që po iknin nga zjarri dhe po vraponin drejt rrugës”.
Në atë moment, forcat e sigurisë filluan të qëllonin.
“Forcat e sigurisë qëlluan mbi turmat që po iknin”, thotë Ali. “Pashë njerëz që u qëlluan direkt në kokë, me armë AK47 e G3. Ishte sikur të shihje ferrin në tokë. Ende nuk mund ta shpjegoj atë që pashë”.
Një grup rojesh filloi të qëllonte drejt tij. Ali dhe miqtë e tij u detyruan të vraponin për t’u fshehur.
Ndërkohë që njerëzit dilnin nga pazari dhe shpërndaheshin në rrugët përreth, Siamak i pyeti se çfarë po ndodhte.
“Ata thanë se pazari bashkiak dhe tregu ishin vënë në zjarr. Zjarrfikësit nuk ishin lejuar të hynin.
Rrugicat e ngushta të pazarit i kishin bllokuar njerëzit. Kur zjarri u përhap, ata u detyruan të zgjidhnin: ose të qëndronin brenda dhe të digjeshin, ose të dilnin jashtë.
“Kur dilnin, qëlloheshin”.
Media shtetërore iraniane deklaroi se pazari dhe një nga xhamitë ishin “djegur nga protestues të mbështetur nga jashtë”. Por jashtë pazarit, Ali thotë se po shihte një masakër me sytë e tij.
“Nuk kam fjalë për të përshkruar atë që pashë. Njerëzit përpiqeshin ta shuanin zjarrin, por një grup personash civilë i sulmonte ata dhe i ndalonte zjarrfikësit të hynin në pazar. Njerëzit ishin plotësisht të bllokuar dhe ata që iknin qëlloheshin”.
Ali thotë se pazari ishte tashmë në flakë kur pa xhaminë Haj Mojtahed të përfshihej nga zjarri.
“Ende nuk mund ta kuptoj atë që pashë me sytë e mi. Pashë fëmijë që u qëlluan, gra, të moshuar… pashë shumë prej tyre të qëlluar në kokë dhe gjaku mbulonte rrugët”, thotë ai. Forcat e sigurisë dhe persona civilë të armatosur “ndiqnin ata që iknin dhe i qëllonin, sikur të donin të shkatërronin edhe hirin e mbetur”.
“Nuk do ta marr kurrë veten nga ajo që pashë. Kurrë më, nuk dua ta shoh një gjë të tillë në jetën time”.

Nga ora 21:00 deri në mesnatë
Për Siamakun, ajo që ndodhi më pas ishte po aq katastrofike sa kaosi fillestar.
“Pashë njerëz që binin në rrugë tek largoheshin nga pazari”, thotë ai. “Të shtënat vinin nga disa drejtime. Kishte shpërthime të forta, që njerëzit i quanin bomba zanore. Automjete Toyota Hilux të bardha, të mbushura me forca të maskuara, ishin vendosur nën ura dhe në dalje”.
U përhap fjala se ata që i kishin mbijetuar të shtënave të para brenda pazarit, po “eliminoheshin” nëse arrinin të dilnin jashtë.
“Nuk i lanë të plagosurit të jetonin”, thotë ai, i tronditur.
Disa organizata për të drejtat e njeriut raportuan se autoritetet nuk lejuan zjarrfikësit të hynin në pazar për të shuar zjarrin deri pas mesnatës. Ndërsa dyqanet dhe shtëpitë digjeshin, Ali dhe Siamak u larguan nga kaosi, por u kthyen më vonë atë natë për të parë çfarë kishte mbetur.
Ora 02:00
Në orët e para të mëngjesit, Ali dhe miqtë e tij u kthyen për të parë rrugët rreth pazarit. Ai thotë se rreth 500 dyqane ishin djegur dhe ende kishte flakë në disa vende.
“Dukej sikur qyteti ishte kthyer në hi. Ishte si një makth”.
Disa trupa ishin nxjerrë nga rrënojat dhe qëndronin në rrugë, të djegur aq keq sa nuk njiheshin.
“Nuk mendoj se familjet mund t’i identifikojnë, përveçse me test ADN-je,” thotë ai.
Në spitalet dhe klinikat e qytetit, të plagosurit po mbërrinin me qindra. Sipas një mjeku (emri i të cilit nuk u publikua nga frika e hakmarrjes), spitalet e Rashtit pritën “qindra viktima me djegie nga zona e pazarit, përfshirë trupa të djegur pjesërisht dhe pacientë me djegie të shkallës së tretë dhe të katërt, të cilët vdiqën në ditët pasuese”.
U raportuan gjithashtu “qindra pacientë me plagë nga armët e zjarrit dhe djegie njëkohësisht, çka tregon se ishin qëlluar ndërsa po iknin nga zona në flakë”.
Sipas mjekëve, modeli i plagëve dhe i viktimave “i ngjan më shumë një skenari lufte urbane sesa një operacioni normal për kontrollin e turmave”.

Agimi
Kur Ali u kthye përsëri rreth orës 05:00 të mëngjesit, trupat që kishin qenë në rrugë nuk ishin më. Të gjithë ishin larguar.
Ajo që ndodhi në Rasht “nuk lë asnjë dyshim për qëllimet e autoriteteve”, thotë Mahmood Amiry-Moghaddam, drejtues i organizatës Iran Human Rights me seli në Norvegji.
“Qyteti u kthye në një fushë vrasjeje. Njerëzit u ndoqën nëpër rrugica, u qëlluan në rrugë, u nxorën me zjarr nga vendet ku fshiheshin dhe u ekzekutuan kur ishin të plagosur. Ky ishte një shembull i qartë i një krimi kundër njerëzimit sipas ligjit ndërkombëtar”.
Për Siamakun, i cili më pas u detyrua të largohej nga vendi, kujtimi i asaj që ndodhi dhe ajo që përjetuan familjet në ditët pasuese është jashtëzakonisht i dhimbshëm.
“Familjet u detyruan të paguanin shuma të mëdha parash për të marrë trupat e të afërmve”, thotë ai. “Ata që nuk mundën të paguanin, i humbën”.
Disa familje i fshehën trupat në makina gjatë natës. Të tjerë i varrosën fshehurazi të dashurit e tyre, ndonjëherë në kopshte, ndonjëherë në varre pa emër.
“Pas masakrës, qyteti dukej i shkatërruar”, thotë Siamak. “Nuk kishte internet. Nuk kishte komunikim. Kudo që shkoja, dëgjoja se dikush tjetër kishte vdekur. Ishte si burg - izolim i plotë”.