Çmimi si më i miri i xhiros së 19-të në Superligën e Kosovës i ka takuar sulmuesit të Ballkanit, Almir Kryeziut.
Federata e Futbollit e Kosovës shpall më të mirin e secilës xhiro, kurse ka përzgjedhur Kryeziun për ndeshjet e fundjavës.
Sulmuesi i krahut ishte më i dalluari të dielën në fitoren 2:1 të Ballkanit ndaj Gjilanit.
27-vjeçari shënoi një gol dhe kontribuoi me një asistim në fitoren ndaj skuadrës gjilanase. Për Kryeziun “Ylli i Javës” është çmimi i dytë që e pranon këtë edicion.
“Synimi i Ballkanit tashmë dihet se është dalja kampion dhe jemi në rrugën e mirë për ta arritur këtë qëllim, por jemi edhe në garë për Kupën e Kosovës, andaj do të luftojmë në të dyja garat. Falënderoj Federatën e Futbollit të Kosovës për vlerësimin si më i miri i xhiros, bashkëlojtarët dhe stafin e trajnerëve, sepse pa ta do të ishte e pamundur kjo paraqitje e imja”, ka thënë Kryeziu të hënën për faqen zyrtare të FFK-së.