Botë

“I ndjekin edhe ambulancat”: Sulmet ruse ndaj personelit mjekësor në Ukrainë

Ukraine - shkaterrime

Punonjësit e urgjencës në Ukrainën e shkatërruar nga lufta thonë se janë vënë në shënjestër nga dronët

Ashtu siç ndodh shpesh në kohë lufte, fati i mirë i ndihmoi të mbijetojnë. Mjekja e urgjencës, Elina Dovzhenko, ndodhej në një distancë të mjaftueshme nga automjeti i saj kur një dron rus e goditi atë, duke e thyer xhamin e përparmë dhe duke shpërndarë copëza shrapneli në të gjithë zonën përreth.
Ishte duke u errësuar në mbrëmjen e 9 korrikut, në qytetin e rrënuar nga bombardimet, Kupiansk – një qytet pothuajse i braktisur, që ndodhet më pak se 5 kilometra larg vijës së parë të frontit në rajonin verilindor të Kharkivit në Ukrainë, dhe vetëm rreth 40 kilometra larg kufirit me Rusinë.

Por, edhe pse drita e ditës po zhdukej ngadalë, kishte ende mjaftueshëm ndriçim që operatori rus i dronit nga ana tjetër e frontit ta dallonte qartë se automjeti i Dovzhenkos ishte një ambulancë e bardhë me shirita të kuq. Ajo ishte e parkuar pranë një spitali të dëmtuar nga predhat, aty ku ajo dhe kolegët e saj po e kryenin detyrën, duke i ndihmuar civilët në nevojë.

“Ne e dëgjuam dronin që fluturonte përreth, rrotullohej e rrotullohej rreth godinës, pastaj papritur e dëgjuam shpërthimin”, tregoi Dovzhenko, 29 vjeçe, për rrjetin mediatik Al Jazeera. Ajo dhe kolegët e saj u tronditën dhe u zemëruan nga ajo që ndodhi – por nuk u habitën. Për ta ishte thjesht edhe një ditë tjetër në vijën e zjarrit.

Ata kanë dëgjuar vazhdimisht për raste ku dronët rusë i kanë pasur në shënjestër ambulancat, ekipet e shpëtimit dhe njerëzit që ata po përpiqeshin t’i shpëtonin, kryesisht të moshuarit që kishin refuzuar të largoheshin nga shtëpitë e tyre, për shkak të lidhjes së tyre të fortë emocionale me kafshët shtëpiake, kopshtet, apo varret e të afërmve.

“Ata i ndjekin ambulancat pothuajse çdo ditë. Nuk ka asnjë dyshim se synimi i tyre ishim ne”, tha Denys Raievskyi, një ndihmësmjek 30-vjeçar dhe partneri i Dovzhenkos në ambulancë.

Puna që ata e bëjnë konsiderohet një nga profesionet më të rrezikshme në kohë lufte në Ukrainë.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë në vitin 2022, rreth 200 ambulanca janë dëmtuar ose shkatërruar çdo vit nga sulmet me artileri të ushtrisë ruse.

“Punonjësit e ambulancës dhe personeli tjetër që merret me transportin e të sëmurëve përballen me një rrezik për t’u lënduar ose për ta humbur jetën, që është trefish më i lartë krahasuar me punonjësit e tjerë të shërbimeve shëndetësore”, thuhet në një raport të OBSH-së.

Këto sulme të qëllimshme dhe të përsëritura ndaj ambulancave e përbëjnë një pjesë thelbësore të strategjisë më të gjerë të Kremlinit, e cila synon t’i shkatërrojë qëllimisht kapacitetet mjekësore të Ukrainës dhe t’i privojë miliona qytetarë nga qasja në kujdesin shëndetësor. Kjo strategji nuk shkakton vetëm pasoja fizike, por e rrit ndjeshëm edhe stresin, problemet mendore dhe gjendjen e rënduar emocionale të popullsisë.

Sipas OBSH-së, rreth 68 për qind e ukrainasve tashmë raportojnë se shëndeti i tyre është përkeqësuar në krahasim me periudhën para luftës, dhe 46 për qind e tyre janë të shqetësuar për shëndetin e tyre mendor.

Edhe pse OBSH-ja nuk e dha një shifër të saktë për numrin e viktimave në radhët e punonjësve të ambulancave, ajo bëri të ditur se që nga viti 2022 i ka verifikuar 1.682 sulme ndaj objekteve shëndetësore dhe stafit mjekësor në Ukrainë. Nga këto sulme, kanë rezultuar 128 vdekje dhe 288 persona të plagosur, përfshirë mjekë, infermierë dhe pacientë.

Fëmijët nën flakët e luftës

Në një vlerësim të mëparshëm, të bërë në gushtin e kaluar, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) theksoi se numri i sulmeve ndaj sistemeve shëndetësore në Ukrainë ishte “më i larti që kjo organizatë e ka regjistruar ndonjëherë në ndonjë emergjencë humanitare në shkallë globale”. Ky konstatim i rëndë i thekson përmasat e paprecedenta të dhunës së ushtruar ndaj kujdesit shëndetësor në një konflikt të armatosur.

“Në thelb, këto sulme janë një krim i qëllimshëm kundër njerëzimit dhe e kanë për qëllim t’i shkatërrojnë civilët dhe ata që luftojnë çdo ditë për jetën e tyre në vijën e parë të frontit”, thuhej në një deklaratë të Ministrisë së Shëndetësisë të Ukrainës në korrik të vitit 2024. Kjo deklaratë u bë menjëherë pas sulmit të tmerrshëm që ndodhi më 8 korrik të vitit të kaluar, kur një sulm rus i vrau dy punonjës spitalorë, i plagosi tetë fëmijë dhe i la me lëndime qindra të tjerë në spitalin e njohur të fëmijëve Okhmatdyt, spitali më i madh pediatrik në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev.

Sulmi u krye me një raketë ruse të tipit X-101 – një armë moderne që është projektuar për të fluturuar në lartësi të ulëta për ta shmangur zbulimin nga radarët dhe mbrojtja ajrore. Kjo raketë është në gjendje të kryejë manovrime gjatë fluturimit dhe e godet objektivin e saj me një saktësi prej vetëm 10 metrash, madje edhe kur lëshohet nga një distancë prej 5.500 kilometrash. Ky është një shembull tronditës i teknologjisë së përdorur për qëllime vdekjeprurëse në këtë konflikt.

Pavarësisht provave në rritje, Moska zyrtare vazhdimisht e mohon përgjegjësinë për sulme të qëllimshme ndaj objekteve të kujdesit shëndetësor. Qeveria ruse këmbëngul se objektivat e saj janë vetëm strukturat ushtarake dhe personeli i armatosur.

Ndërkohë, organizatat ndërkombëtare të ndihmës humanitare janë të vetëdijshme për rëndësinë dhe urgjencën e situatës në Ukrainë dhe e kanë shprehur angazhimin e tyre për ta vazhduar mbështetjen ndaj sistemit shëndetësor të vendit, pavarësisht rreziqeve të shumta.

“Fatkeqësisht, situata të tilla nuk janë të reja për ne”, tha Giorgio Trombatore, drejtor rajonal për Evropën Lindore i organizatës ndërkombëtare humanitare “Project HOPE”, për Al Jazeeran. “Por ne qëndrojmë të vendosur që ta vazhdojmë misionin tonë humanitar, sepse njerëzit kanë nevojë për ndihmë”.

Kjo organizatë aktualisht i menaxhon 13 ambulanca në katër rajone të Ukrainës, pesë prej të cilave ndodhen në rajonin e Kharkivit – përfshirë edhe ambulancën që u godit nga droni në qytetin Kupiansk. Edhe pse të tjera automjete ambulancash kanë pasur përballje me dronë në muajt e fundit, fatmirësisht nuk është raportuar për viktima ose plagosje në radhët e ekipeve mjekësore.
“Kjo është diçka nga e cila nuk mund të ikësh gjithmonë; më herët apo më vonë duhet të jesh i përgatitur për më të keqen”, shtoi Trombatore. “Për fat të mirë, deri tani nuk kemi raportuar humbje jete në ekipin tonë”.

“Project HOPE” gjithashtu ofron mbrojtje shtesë për stafin e saj, duke i përfshirë helmetat dhe jelekët antiplumb, dhe disa nga ambulancat që përdorin janë të blinduara – një element mbrojtës shumë i rëndësishëm përballë taktikave ruse të goditjeve të përsëritura mbi të njëjtin objektiv.

Në një rast tjetër tragjik, një sulm me dron rus më 14 korrik në fshatin Stetsivka, në rajonin verior të Sumit, e vrau një civil dhe e plagosi një tjetër. Pasi ekipi i ndihmës mjekësore, i mbështetur nga “Project HOPE”, arriti në vendngjarje, një dron i dytë shpërtheu vetëm 2 metra larg automjetit të tyre.
“Ajo që i shpëtoi nga vdekja ishte fakti që automjeti ishte i blinduar”, shpjegoi zëdhënësi i “Project HOPE”, Artem Murach, për Al Jazeeran.

“Shpresë dhe besim”

Qyteti i Kupianskut shtrihet në të dyja brigjet e lumit Oskil – një lumë i qetë, por me rëndësi të madhe strategjike – dhe dikur ishte një qendër industriale dhe arsimore e zhvilluar, me mbi një duzinë fabrikash, disa kolegje dhe një popullsi prej rreth 22,000 banorësh.

Por vetëm disa ditë pasi filloi pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, kryetari i bashkisë së Kupianskut e dorëzoi qytetin pa rezistencë. Qyteti u kthye në mënyrë të menjëhershme në qendrën administrative të pjesës së rajonit të Kharkivit që ra nën kontrollin e forcave pushtuese ruse.

Sidoqoftë, vetëm gjashtë muaj më vonë, forcat ukrainase e rimorën qytetin në një kundërofensivë të guximshme dhe të befasishme që i tronditi linjat ruse.

Pavarësisht kësaj fitoreje ushtarake, Kupiansku mbeti i pambrojtur dhe brenda rrezes së artilerisë, dronëve dhe raketave ruse, të cilat vazhdojnë ta godasin qytetin në mënyrë të përsëritur. Këto sulme e kanë shkaktuar vdekjen e dhjetëra civilëve, plagosjen e qindra të tjerëve dhe e kanë dëmtuar pothuajse çdo ndërtesë të mbetur në qytet.

Shumica e banorëve – së bashku me forcat e rendit, ekipet e zjarrfikësve dhe punonjësit e institucioneve shtetërore – u larguan nga Kupiansku në fillim të vitit 2023, kur trupat ruse filluan të afrohen sërish me kufijtë e qytetit. Megjithatë, rreth 1.200 njerëz – pra vetëm rreth 7 për qind e popullsisë së dikurshme – vendosën të qëndronin.

“Ata kanë frikë të largohen, nuk kanë farefis apo miq që mund t’i strehojnë diku tjetër. Shumë prej tyre thonë: ‘Më mirë të vdes këtu, sepse këtu është shtëpia ime,’” tregoi ndihmësmjeku Denys Raievskyi.
Raievskyi nuk është i panjohur me brutalitetin e sulmeve ruse. Ai jeton me bashkëshorten e tij në Saltivka, një nga lagjet më të goditura nga bombardimet në qytetin e dytë më të madh të Ukrainë,  Kharkiv – që ndodhet rreth 120 kilometra në lindje të Kupianskut.

Pavarësisht rrezikut të përhershëm dhe kushteve ekstreme, ambulanca e Raievskyit udhëton deri në një orë e gjysmë për t’i ndihmuar të sëmurët dhe të plagosurit. Ai dhe kolegët e tij përballen me bombardime të vazhdueshme dhe rrezikun e përhershëm nga dronët, të cilët janë të pranishëm pothuajse gjatë gjithë kohës në qiellin e zonës.

Megjithëse përpiqen të ndihmojnë sa më shumë, ata nuk kanë mundësi t’i trajtojnë të plagosurit në vendngjarje, sidomos kur bëhet fjalë për viktima të goditura nga dronët, sepse rreziku për një sulm të dytë është gjithmonë i pranishëm dhe real.

Një nga zgjidhjet shpëtuese që kishte qenë efektive më herët – një sistem portativ për bllokimin e sinjaleve që e pengon funksionimin e dronëve, duke i ngatërruar sistemet e tyre të navigimit – tani më nuk është funksional në rajonin e Kharkivit. Arsyeja për këtë është se ushtria ruse ka filluar të përdorë dronë të lidhur me kabllo optike, që shtrihen për kilometra të tëra, duke i bërë të papërshkueshëm nga bllokuesit elektronikë tradicionalë.

“Fatkeqësisht, në Kupiansk të gjithë dronët rusë janë me fibra optike”, shpjegon partnerja e Raievskyit, mjekja e urgjencës Elina Dovzhenko.