I dërguari i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, u ka thënë familjeve të pengjeve që mbahen nga grupi militant palestinez Hamas të shtunën se është duke punuar me qeverinë izraelite për një plan që do t'i jepte fund në mënyrë efektive luftës në Gazë.
Trumpi e ka bërë përparësi kryesore të administratës së tij përfundimin e konfliktit, megjithëse negociatat kanë dështuar.
Witkoff po viziton Izraelin teksa qeveria e tij përballet me presion në rritje për shkak të përkeqësimit të kushteve humanitare në enklavë.
"Ne kemi një plan shumë, shumë të mirë mbi të cilin po punojmë së bashku me qeverinë izraelite, me kryeministrin Netanyahu... për rindërtimin e Gazës. Kjo në mënyrë efektive do të thotë fundi i luftës”, citohet nga Reuters të ketë thënë Witkoff.
Witkoff ka thënë gjithashtu se Hamasi ëhstë i përgatitur të çarmatoset për t'i dhënë fund luftës, megjithëse grupi ka thënë vazhdimisht se nuk do t'i dorëzojë armët.
Në përgjigje, Hamasi, i cili ka dominuar Gazën që nga viti 2007, por është goditur ushtarakisht nga Izraeli në luftë, ka thënë se nuk do të heqë dorë nga "rezistenca e armatosur" nëse nuk do të krijohet një "shtet palestinez i pavarur dhe plotësisht sovran me Jerusalemin si kryeqytet".
Negociatat indirekte midis Hamasit dhe Izraelit që synonin sigurimin e një armëpushimi 60-ditor në luftën e Gazës dhe një marrëveshje për lirimin e gjysmës së pengjeve, përfunduan javën e kaluar pa një rezultat.
Të shtunën, Hamasi ka publikuar videon e dytë brenda dy ditësh të pengut izraelit Evyatar David. Në të, David, shumë i dobët, tregohet duke hapur një gropë, e cila, siç thotë ai në video, është për varrin e tij.
"Ata janë në prag të vdekjes", ka thënë vëllai i Davidit, Ilay, në një tubim në mbështetje të pengjeve në Tel Aviv, ku mijëra njerëz u mblodhën duke mbajtur postera të atyre që janë në robëri dhe kërkuan lirimin e tyre të menjëhershëm.
Ministri i Punëve të Jashtme izraelite, Gideon Sa'ar, ka thënë se "bota nuk mund të heshtë përballë imazheve të vështira që janë rezultat i abuzimit të qëllimshëm sadist të pengjeve, që përfshin edhe urinë".
Witkoff, i cili ka mbërritur në Izrael në një kohë kur qeveria e Benjamin Netanyahut përballet me protesta në nivel global për shkatërrimin në Gazë dhe urinë në rritje midis 2.2 milionë banorëve të saj, u takua me kryeministrin të enjten.
Më pas, një zyrtar i lartë izraelit ka thënë se po arrihej një mirëkuptim midis Izraelit dhe Uashingtonit se kishte nevojë për të kaluar nga një plan për lirimin e disa prej pengjeve në një plan për lirimin e të gjithë pengjeve, çarmatosjen e Hamasit dhe demilitarizimin e Rripit të Gazës, duke i bërë jehonë kërkesave kryesore të Izraelit për t'i dhënë fund luftës.