Qeveria hungareze do të vendosë masa të reja ndaj importit të produkteve agrokulturore të Ukrainës, ka bërë të ditur të enjten, ministri hungarez i Bujqësisë, István Nagy.
Lëvizja mendohet se është bërë për të mbrojtur fermerët hungarezë nga luhatjet në treg dhe importet më të lira ukrainase, raporton AP.
Ministri Nagy ka thënë në një konferencë për media se një vendim i Bashkimit Evropian i vitit 2022 për të lejuar importet ukrainase pa doganë, i bërë për ta ndihmuar ekonominë e Ukrainës pas pushtimit rus, ka çuar në “mbifurnizim dhe çmime shumë të ulëta”, në tregun agrokulturor evropian.
Ai ka fajësuar BE-në dhe komisionin e tij ekzekutiv për dështim në mbrojtje të fermerëve evropianë, të cilët nuk mund të konkurrojnë me importet më të lira, duke shtuar se Hungaria do të vendosë për mbrojtje shtesë “në kompetencën e tij kombëtare”.
“Brukseli dhe Komisioni Evropian i kanë keqtrajtuar fermerët hungarezë dhe në vend të kësaj po i mbështesin oligarkët ukrainas”, ka deklaruar Nagy.
Hungaria ka pasur një marrëdhënie të tensionuar me fqinin, Ukrainën, dhe është në mesin e shteteve të BE-së që ka ofruar më së paku mbështetje për Kievin, gjatë luftës së tij me Rusinë.
Menjëherë pas pushtimit të plotë të Rusisë, në shkurt të vitit 2022, Hungaria ka deklaruar se nuk do të dërgonte armë në Kiev dhe po ashtu se nuk do të lejonte transferimin e tyre përmes shtetit të tij atje. Hungaria po ashtu ka argumentuar kundër sanksioneve ndaj Moskës dhe ka kërcënuar të kundërshtojë ndihmën financiare të BE-së për fqinjin e saj të shkatërruar nga lufta.
Të enjten, Nagy ka thënë se Qeveria kishte vendosur për një plan prej pesë pikash për të ndihmuar fermerët hungarezë, duke përfshirë një kërkesë për shitësit dhe kompanitë logjistike që t'i raportojnë qeverisë hungareze për produktet e kufizuara që importohen nëpërmjet Ukrainës, pavarësisht nga vendi i origjinës së këtyre produkteve.
Nagy ka shtuar se produktet e përpunuara të bëra nga gruri ukrainas gjithashtu do t'i nënshtrohen kufizimeve.
Hungaria vendosi një ndalim për importin e 24 produkteve bujqësore ukrainase vitin e kaluar, por ka thënë se do të lejonte transferimin e tyre në të gjithë territorin e saj. Ndalimi zbatohej për drithërat, farat vajore, miellin, vajin e gatimit dhe disa produkte mishi. Qeveria hoqi mjaltin natyral ukrainas nga lista muajin e kaluar.