Autoritetet e Hong Kongut kanë njoftuar të hënën se kanë arrestuar 13 persona nën dyshimin për vrasje pa dashje lidhur me zjarrin më vdekjeprurës të qytetit në dekada.
Sipas autoriteteve, materialet e rinovimit nën standard kanë nxitur zjarrin që ka marrë të paktën 151 jetë, raporton Reuters.
Autoritetet po vazhdojnë të pastrojnë shtatë kullat e përfshira nga katastrofa e së mërkurës në lagjen Wang Fuk Court, duke gjetur trupa banorësh në shkallë dhe në çati, të bllokuar ndërsa përpiqeshin të iknin nga flakët.
Më shumë se 40 persona janë ende të zhdukur.
"Disa nga trupat janë shndërruar në hi, prandaj mund të mos jemi në gjendje t'i gjejmë të gjithë individët e zhdukur", u ka thënë gazetarëve të hënën, Tsung Shuk Yin, një zyrtar i policisë.
Testet në disa mostra të një rrjete të gjelbër që ishte mbështjellë rreth skelave prej bambuje në ndërtesa nuk përputheshin me standardet e rezistencës ndaj zjarrit, kanë thënë në një konferencë për shtyp zyrtarët që mbikëqyrin hetimet.
Kontraktorët që punonin në rinovime i përdorën këto materiale nën standard në zona të vështira për t'u arritur, duke i fshehur ato në mënyrë efektive nga inspektorët, kanë bërë të ditur autoritetet.
Izolimi me shkumë i përdorur nga kontraktorët gjithashtu nxiti flakët dhe alarmet e zjarrit në kompleks nuk funksiononin siç duhet, kanë shtuar zyrtarët.