Historiani izraelit Omer Bartov, ka thënë se ajo që po ndodh në Rripin e Gazës është e pashembullt në shekullin XXI.
Bartov, që është profesor i studimeve të Holokaustit dhe gjenocidit në Universitetin Brown në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, fillimisht nuk i kishte klasifikuar veprimet ushtarake të Izraelit në Gaza, pas sulmit të Hamasit më 7 tetor të vitit 2023, si gjenocid. Por, tani ai nuk heziton ta bëjë këtë dhe pohon se ekziston një konsensus midis ekspertëve të çështjes së gjenocidit për këtë që po ndodh në Gaza.
Bartov shpjegoi për “BBC Mundo” se pse ndryshoi qëndrimin e tij.
“Në fillim të majit të vitit 2024, ndryshova mendim dhe fillova të besoja se Gaza padyshim është një rast gjenocidi. Në nëntor të vitit 2023, shkrova se kishte prova për krime lufte, ndoshta krime kundër njerëzimit. Nuk isha ende i sigurt nëse kishte prova të mjaftueshme për gjenocid. Por kishte indikacione se mund të arrinte aty, sepse kishte deklarata me përmbajtje gjenocidale”, tha Bartov. “Në maj të vitit 2024, kur Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) hynë në Rafah dhe zhvendosën gati një milion njerëz në zonën Al-Mawasi, një zonë pa infrastrukturë pranë detit, kjo dukej se tregonte një operacion me qëllim gjenocidi. Modeli që çoi në operacionin e Rafahut në maj dukej se tregonte se ky nuk ishte thjeshtë një operacion për ta shkatërruar Hamasin dhe për t’i liruar pengjet, siç pretendonte IDF, por një operacion që synonte ta bënte të gjithë Gazën të pabanueshme. Që nga atëherë situata është përkeqësuar ndjeshëm”.
Bartov ka thënë se ushtarë izraelitë që kthehen nga Gaza përshkruan gjendjen atje me Hiroshimën në Luftën e Dytë Botërore.
“Shkatërrimi është në një shkallë masive. Tonazhi i bombave të hedhura në Gaza është më i madh se ai i bombave të hedhura në qytete gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kam dëgjuar rezervistët izraelitë që u kthyen nga Gaza të thonë se ajo që panë u kujtoi imazhet e Hiroshimës. Këta janë ushtarë që morën pjesë në këtë. Ne mendonim se ajo që bënë rusët në Çeçeni dhe Grozni ishte e tmerrshme. Por, kjo është në një shkallë më të gjerë. Është e vështirë ta krahasosh me ndonjë gjë. Për shekullin XXI, sigurisht se nuk ka precedent. Në Siri, vranë 2 për qind të popullsisë, por kjo ndodhi në 13 vjet. Në Gaza, ndodhi në pak muaj. Kjo shifër prej 2 për qind ishte arritur në verën e vitit 2024”, tha Bartov.
Ai ka folur edhe për fondacionin privat të krijuar nga Izraeli për të shpërndarë ndihma në Gaza.
Ka thënë se është “projekt për të dhënë përshtypjen se ofron ndihmë, ndërkohë që përkeqëson krizën humanitare”.
Izraeli nisi fushatën ushtarake në Gaza në përgjigje ndaj sulmit të Hamasit brenda territorit izraelit më 7 tetor të vitit 2023, gjatë të cilit u vranë rreth 1200 persona e u morën 251 pengje.
Që nga atëherë, sulmet izraelite kanë lënë të vdekur të paktën 54,470 persona në Gaza, përfshirë mbi 17 mijë fëmijë dhe kanë plagosur mbi 120 mijë tjerë, sipas shifrave të Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.