Hamasi ka thënë se do të kthejë trupin e një pengu izraelit të martën, pjesë e armëpushimit të brishtë që ka hyrë në fuqi muajin e kaluar, e që vazhdon të mbahet pavarësisht sulmeve izraelite në Gazë rritjes së viktimave palestineze dhe akuzave të ndërsjella për shkelje.
Xhihadi Islamik Palestinez ka njoftuar se ka gjetur trupin më parë këtë javë në Nuseirat, një kamp refugjatësh në Gazën qendrore, raporton Reuters.
Trupi do t'i dorëzohet Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq të martën pasdite, ka thënë Hamasi në Telegram.
Militantët palestinezë kanë liruar trupat e 25 pengjeve që kur armëpushimi i ndërmjetësuar nga SHBA-ja ka nisur më 10 tetor. Tre besohet se janë ende në Gazë.
Procesi ka qenë i ngadaltë, duke kërcënuar armëpushimin.
Hamasi thotë se nuk ka qenë në gjendje të arrijë të gjitha mbetjet sepse ato janë varrosur nën rrënoja nga ofensiva dyvjeçare e Izraelit në territorin palestinez.
Izraeli i ka akuzuar militantët se po zvarrisin procesin dhe ka kërcënuar të rifillojë operacionet ushtarake ose të ndalojë ndihmën humanitare nëse të gjitha mbetjet nuk kthehen.
Zyra e Kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë në një deklaratë të martën se vonesa përbënte një shkelje të armëpushimit.