Botë

Hamasi i gatshëm të lirojë 10 pengje si përgjigje ndaj propozimit amerikan për armëpushim

Gazas

Hamas ka deklaruar se i ka dorëzuar përgjigjen zyrtare për propozimin e armëpushimit të paraqitur më herët gjatë kësaj jave nga Shtetet e Bashkuara.

Në një deklaratë për mediat të shtunën, grupi ka thënë se është i gatshëm të lirojë dhjetë pengje izraelite të gjalla dhe trupat e 18 pengjeve të vdekur – numër i përfshirë në marrëveshjen e propozuar – në këmbim të lirimit të një numri të caktuar të të burgosurve palestinezë.

Megjithatë, Hamasi theksoi rezervat lidhur me propozimin – i cili, sipas Shtëpisë së Bardhë, është propozuar nga i dërguari amerikan Steve Witkoff, pas konsultimeve dhe miratimit nga pala izraelite.

Në përgjigje, Hamasi përsëriti kërkesat e kahershme të lëvizjes: armëpushim të përhershëm, tërheqje të plotë të Izraelit nga Gaza dhe garanci për dërgimin e pandërprerë të ndihmës humanitare.

Asnjëra nga këto kërkesa nuk është përfshirë në propozimin aktual, dhe përgjigjja e Hamasit nuk përbën as refuzim të qartë, e as pranim të plotë të marrëveshjes.

Çfarë përfshihet në propozimin për armëpushim, sipas raportimeve?

Ndërsa detajet e plota të propozimit amerikan nuk janë bërë publike dhe mbeten të pakonfirmuara zyrtarisht, agjencia e lajmeve Reuters raporton se këto janë pikat kyçe të planit:

Pezullim i luftimeve për 60 ditë

Lirimi i 28 pengjeve izraelite, të gjallë dhe të vdekur, gjatë javës së parë

Lirimi i 30 pengjeve të tjera pas arritjes së një armëpushimi të përhershëm

Lirimi i 1,236 të burgosurve palestinezë dhe kthimi i trupave të 180 palestinezëve të vdekur

Dërgimi i ndihmës humanitare për Gazën përmes Kombeve të Bashkuara dhe agjencive të tjera ndërkombëtare

SHBA-ja e quan “të papranueshme” përgjigjen e Hamasit për propozimin e armëpushimut

1 d. më parë / 31 maj 2025 21:41
Trump & Witkoff

Trump & Witkoff

I dërguari i presidentit amerikan Donald Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, ka deklaruar se përgjigjja e Hamasit ndaj propozimit amerikan për armëpushim është “plotësisht e papranueshme dhe vetëm na çon prapa”.

“Hamas duhet ta pranojë propozimin që kemi paraqitur si bazë për bisedime të ndërmjetësuara, të cilat mund t’i nisim menjëherë javën që vjen”, ka shkruar Witkoff në “X”.

Ai theksoi se kjo është e vetmja mënyrë për të arritur marrëveshje për armëpushim 60-ditor, gjatë së cilës gjysma e pengjeve të gjalla dhe gjysma e atyre të vrarë do të kthehen te familjet e tyre.

“Gjatë atyre bisedimeve të ndërmjetësuara do të mund të zhvillojmë negociata thelbësore dhe me vullnet të mirë për të synuar armëpushim të përhershëm”, përfundoi Witkoff.