Botë

Hamasi dhe Izraeli nisin bisedimet e reja të armëpushimit

Hamas

Foto: Associated Press

Grupi militant palestinez, Hamas, ka konfirmuar të shtunën se një rund i ri bisedimesh për armëpushim në Rripin e Gazës është duke u zhvilluar me Izraelin në Doha të Katarit, ka raportuar “The Guardian”.

Zyrtari i Hamasit, Taher al-Nono, ka thënë se të dyja palët po i diskutojnë të gjitha çështjet pa “parakushte”.

Rundi i ri i bisedimeve po ndodh në kohën kur Izraeli ka nisur ofensivë të re madhore në Rripin e Gazës, pas një vale sulmesh ajrore mbi territorin palestinez që lanë të vdekur mbi 100 persona, në atë që e përshkroi si përpjekje të re për ta detyruar grupin militant, Hamas, që të lirojë pengjet e mbajtura.

Sulmet po kryhen teksa një bllokadë izraelite për ndihmat që hyjnë në Gaza ka shënuar zyrtarisht muajin e tretë. Rreth 10 agjenci të ndryshme ndihmash kanë konstatuar se situata humanitare në enklavën palestineze është përkeqësuar skajshmërisht.

Lufta në Gaza filloi kur militantët e udhëhequr nga Hamasi vranë 1.200 njerëz në vitin 2023 në Izraelin jugor. Ofensiva hakmarrëse e Izraelit ka vrarë mbi 50,000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas ministrisë së Shëndetësisë të Gazës.

Ofensiva e Izraelit ka zhdukur një pjesë të madhe të peizazhit urban të Gazës dhe ka zhvendosur rreth 90% të popullatës.