Botë

Hamas: Bisedimet për armëpushim pritet të rifillojnë javën tjetër

hamas

Bisedimet për armëpushim midis Hamasit dhe Izraelit pritet të rifillojnë javën tjetër, ka njoftuar të premten një zyrtar i Hamasit, ndërsa sulmet izraelite vazhdojnë në të gjithë Gazën dhe ekspertët paralajmërojnë se palestinezët janë në prag të urisë, raporton AP.

Zyrtari i Hamasit, Bassem Naim, tha të premten se iu tha se një delegacion izraelit do të nisej për konsultime në fillim të javës tjetër. Bisedimet e mëparshme ishin mbajtur në Katar. 

Komentet e tij vijnë një ditë pasi Shtetet e Bashkuara tërhoqën ekipin e tyre negociator nga Katari dhe pasi i dërguari special i presidentit Donald Trump, Steve Witkoff, tha se përgjigjja e fundit e Hamasit ndaj negociatave tregoi një “mungesë dëshire” për të arritur një armëpushim.

Witkoff tha se SHBA-ja tani do të shqyrtojë mundësi alternative për të sjellë pengjet në shtëpi dhe për të krijuar një mjedis më të qëndrueshëm për popullin e Gazës.

Ai nuk dha detaje se cilat mund të jenë këto mundësi.

E të enjten zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu gjithashtu njoftoi se ekipi i tij negociator u kthye në vend. Në një deklaratë të shkurtër, zyra e Netanyahut shprehu vlerësim për përpjekjet e Witkoffit dhe ndërmjetësve të tjerë, Katarit dhe Egjiptit, por nuk dha detaje të mëtejshme.