Botë

Gruaja që ndryshoi mënyrën se si trajtohej dhimbja e abuzimit te gratë

Ghada Hatem-Gantzer

Nga dhomat e maternitetit në periferi të Parisit lindi një ide që ndryshoi mënyrën se si trajtohet dhuna ndaj grave. Dr. Ghada Hatem-Gantzer krijoi një model unik ku shërbimet mjekësore, psikologjike dhe ligjore bashkohen nën një çati, duke u kthyer në një shpresë reale për mijëra gra të traumatizuara.

Si një mjeke me përvojë që trajtonte gra shtatzëna në periferi të Parisit, Ghada Hatem-Gantzer kuptoi se shumica e pacienteve të saj kishin nevoja që shkonin përtej asaj që ajo mund t’u ofronte si mjeke.

Dr. Hatem-Gantzer, mjeke gjinekologe-obstetre, kujdesej shpesh për gra që kishin përjetuar abuzim seksual, vetëlëndim apo varësi nga alkooli. Ajo i këshillonte të shkonin te një psikolog, të kërkonin ndihmë ligjore dhe të bënin një kallëzim në polici. Nëse pacientja dukej e tensionuar, ajo mund t’i rekomandonte edhe një fizioterapist.

Problemi, siç e kuptoi Dr. Hatem-Gantzer, ishte se të gjitha këto shërbime ishin të shpërndara në institucione të ndryshme shtetërore dhe jo të përqendruara në një vend të vetëm. Si pasojë, gratë e kishin shumë të vështirë të gjenin ndihmën që u nevojitej dhe traumat e tyre të thella shpesh mbeteshin të patrajtuara.

“Ishte jashtëzakonisht e ndërlikuar”, tha Dr. Hatem-Gantzer, 66 vjeçe, në një intervistë të fundit. “Ndërsa po t’i thosha dikujt: ‘Psikologu është këtu pranë, polici është aty, pastaj mund të shkosh te grupi mbështetës, të bësh joga të hënave dhe teatër të martave’ - kjo është krejt tjetër gjë”.

Këtë “krejt tjetër gjë” Dr. Hatem-Gantzer e ndërtoi pothuajse 10 vjet më parë në Saint-Denis, një nga periferitë më të varfra të Parisit, në një truall me baltë pranë një spitali ku ajo drejtonte repartin e maternitetit. Aty ajo themeloi një qendër të vetme shërbimesh, të njohur si “Shtëpia e Grave”, ku gratë viktima të dhunës mund të marrin ndihmë sociale, ligjore dhe mjekësore - të gjitha në të njëjtën ndërtesë.

Ishte një projekt i ndërtuar me shumë përkushtim, por që për pak dështoi. Sponsorët ishin të vështirë për t’u bindur. Edhe pasi siguroi truallin, u deshën vite për të nisur ndërtimin. Në një moment, ajo ishte gati të dorëzohej.

Sot, gati një dekadë pas hapjes, projekti i saj është kthyer në modelin se si spitalet në të gjithë Francën trajtojnë gratë viktima të dhunës. Rreth 30.000 gra janë trajtuar në këtë qendër që nga viti 2016. Tridhjetë qendra të ngjashme janë hapur në Francë dhe Belgjikë, dhe katër të tjera pritet të inaugurohen në muajt në vijim.

Modeli i krijuar nga Dr. Hatem-Gantzer ka pasur aq sukses, sa dy kryeministra francezë, në periudha të ndryshme, kanë deklaruar se secili prej rreth 100 rajoneve të Francës duhet të ketë një qendër të tillë. Një film për krijimin e qendrës së parë në Saint-Denis do të dalë në mars.

Me pak fjalë, Dr. Hatem-Gantzer shkaktoi një “tërmet” dhe u kthye në një “model frymëzimi” për profesionin mjekësor, tha Anne Ferrer-Villeneuve, drejtoreshë spitali që u frymëzua prej saj për të hapur një qendër të ngjashme.

“Dr. Hatem-Gantzer krijoi një përgjigje reale ndaj një nevoje që e kishim vërejtur, por nuk e kishim kuptuar sa e madhe ishte”, tha Dr. Ferrer, drejtoreshë e Spitalit Universitar të Montpellierit, një nga qendrat më të mëdha mjekësore në jug të Francës.

Dr. Hatem-Gantzer lindi në vitin 1959 në Bejrut, Liban, nga një baba inxhinier telekomunikacioni dhe një nënë shtëpiake. Ajo ishte 15 vjeçe kur shpërtheu lufta civile libaneze. Ndërsa luftimet zhvilloheshin në rrugë, ajo strehohej në shkallët e pallatit të saj, duke gjetur ngushëllim te librat e Jean-Paul Sartre, Albert Camus dhe Simone de Beauvoir - “çdo gjë që mund të gjeja,” kujton ajo.

Pasi përfundoi shkollën e mesme, u largua drejt Parisit, ku studioi mjekësi dhe u dashurua shpejt me obstetrikën, një profesion që ajo e përshkruan si “njëkohësisht emocionues dhe i frikshëm”.

Më pas punoi në disa reparte materniteti në Paris, duke ndihmuar qindra gra të sillnin në jetë fëmijët e tyre. Edhe pse shumica e pacienteve vinin nga shtresa të privilegjuara, ajo kuptoi se shumë prej tyre kishin përjetuar dhunë në familje, gjë që e bëri të pyesë veten nëse mund të bënte më shumë sesa thjesht t’u ofronte trajtim mjekësor.

Sfidat deri te realizimi

Pakënaqësia e saj me kufijtë e profesionit u thellua në vitin 2011, kur u emërua drejtoreshë e repartit të maternitetit në spitalin më të madh të Saint-Denis, një zonë e vështirë ku jetojnë shumë emigrantë. Pacientet e saj shpesh jetonin në varfëri, vuanin nga dhuna në familje ose ishin viktima të gjymtimit gjenital femëror. Shumë prej tyre, të sapoardhura në Francë, mezi flisnin gjuhën.

“Ishte një përzierje shpërthyese”, tha ajo. “Fakti që ishin gra kombinohej me të gjitha vështirësitë e Saint-Denis - varfërinë dhe emigracionin”.

Një paciente, nën presionin e familjes, kishte lënë një punë të qëndrueshme në vendin e saj për të jetuar në një apartament të vogël e të pashëndetshëm në Paris me një burrë alkoolik që e dhunonte. Një tjetër, rreth 15 vjeçe kur Dr. Hatem-Gantzer e takoi, kishte ikur nga Afrika Perëndimore pas gjymtimit gjenital dhe një martese të detyruar. Gjatë rrugës drejt Francës, ajo u përdhunua disa herë dhe u grabit.

Të dëgjonte këto histori ishte “burim zemërimi”, tha Dr. Hatem-Gantzer.

Rreth vitit 2012, ajo filloi të mendonte për mënyra se si t’u ofronte këtyre grave kujdes më të mirë dhe ideja e një qendre të vetme për trajtimin e dhunës filloi të merrte formë. Drejtori i spitalit i tha se mund ta ndërtonte qendrën në një parking të lirë pranë spitalit - por vetëm nëse ajo do të gjente vetë financimin.

Kur u bë e qartë se fondet publike do të ishin minimale, ajo nisi të kërkonte fonde private. Më në fund bindi tre donatorë, përfshirë Fondacionin Kering, një organizatë filantropike e drejtuar nga pronarët e Guccit. Por paratë nuk mjaftonin.

“Në Shtetet e Bashkuara, mund të shkosh dhe të thuash: ‘Kam një projekt, po mbledh fonde’, dhe njerëzit thonë: ‘Në rregull, po e provojmë’. Në Francë, nuk funksionon kështu”, tha ajo.

Në vitin 2015, ende pa fonde të mjaftueshme, Dr. Hatem-Gantzer mendoi se kishte arritur në fund të rrugës. Ajo telefonoi tre sponsorët dhe u tha se do t’ua kthente paratë. “Më thanë: ‘As mos e mendo’”, kujton ajo. Me ndihmën e tyre, ajo gjeti sponsorë të tjerë privatë dhe projekti u ringjall.

“Është sikur po kalon Oqeanin Atlantik. Kur je në mes të tij, nuk pyet më veten nëse do të vazhdosh apo jo. Në një moment, thjesht duhet të vazhdosh të notosh”, tha Dr. Hatem-Gantzer.

Qendra u hap më në fund në korrik të vitit 2016. Ajo përbëhet nga rreth 20 dhoma të shpërndara në dy kate. E projektuar nga një mik i Dr. Hatem-Gantzer, ndërtesa ka një kopsht të vogël dhe mure të ndritshme me ngjyra të ndryshme, ndërsa dritaret lejojnë dritën të hyjë nga të gjitha anët. Në zemër të saj ndodhet një oborr i vogël me mobilie shumëngjyrëshe - një referencë ndaj arkitekturës së shtëpive në Lindjen e Mesme. Ky është vendi i preferuar i Dr. Hatem-Gantzerit.

Qendra i ofron çdo pacienteje trajtim të personalizuar, duke u dhënë qasje te psikologë, psikiatër, punonjës socialë, këshilltarë ligjorë dhe përfaqësues të planifikimit familjar, si dhe te mjekë të përgjithshëm dhe gjinekologë. Aty organizohen edhe ndërprerje shtatzënie dhe kryhen ndërhyrje për riparimin e dëmtimeve nga gjymtimi gjenital. Një oficer policie ndodhet në qendër një ditë në javë, në mënyrë që gratë të mund të bëjnë kallëzime direkt aty.

Dashuri që nuk e gëzuan kurrë

Një vit pas hapjes së saj, në Shtetet e Bashkuara shpërtheu lëvizja #MeToo, e cila më pas u përhap edhe në institucionet franceze, duke i dhënë një shtysë edhe më të madhe projekteve si “Shtëpia e Grave”.

“Bota ndryshoi. Kur flisja për këtë në vitin 2013, njerëzit nuk e kuptonin për çfarë po flisja,” tha Dr. Hatem-Gantzer. Por #MeToo ishte “si një shpërthim i madh, kudo”, shtoi ajo.

Gradualisht, edhe spitale dhe institucione të tjera nisën të ndjekin të njëjtin model, fillimisht në Bruksel në vitin 2017 dhe më pas në Bordo të Francës në vitin 2019. Ky interes u përshpejtua ndjeshëm në vitin 2021, kur Dr. Hatem-Gantzer mori 10 milionë euro nga dy fondacione private për të zgjeruar projektin në të gjithë Francën.

Ajo e zgjeroi gjithashtu qendrën origjinale në Saint-Denis, ku pacientet tani mund të merren me kopshtari dhe joga, të mësojnë frëngjisht, të ndjekin punëtori bizhuterish dhe fotografie, si dhe të marrin pjesë në vizita në muze dhe teatro. Disa nga veprat e tyre artistike janë të ekspozuara në muret e qendrës, mes fotografive të ikonave feministe.

Gjatë një ore mësimi të frëngjishtes muajin e kaluar, një nga pacientet shpërtheu në lot pasi mësueset dhe shoqet e klasës e surprizuan me një tortë ditëlindjeje. “Më keni dhënë gjithë dashurinë që nuk e kam pasur kurrë”, u tha ajo, përpara se të fikte qirinjtë. Ishte hera e parë, siç u shpreh ajo, që dikush mendonte t’ia festonte ditëlindjen.

Dr. Hatem-Gantzer nuk është më e përfshirë në punën e përditshme të qendrës. Sot, pjesën më të madhe të kohës ia kushton programeve të ndërgjegjësimit në shkolla dhe kompani, si dhe mbledhjes së fondeve, megjithëse vazhdon të kryejë ndërhyrje kirurgjikale për riparimin e gjymtimit gjenital dhe të japë këshilla për drejtuesit e qendrës.

“Ajo është si një dritë nate, si një busull”, tha Marianne Sonda, një nga menaxheret e qendrës.

Projekti i saj i radhës është hapja e një qendre të re për pacientë të moshës 3 deri në 25 vjeç që kanë përjetuar dhunë seksuale. Kjo qendër pritet të hapet së shpejti në Paris, në një kohë kur raportohet rritje e rasteve të abuzimit seksual ndaj fëmijëve në shkolla.

Pavarësisht suksesit të saj, Dr. Hatem-Gantzer mendon se puna e saj është ende larg përfundimit. Duke folur në një ligjëratë për ndërgjegjësimin mbi dhunën seksuale në universitete muajin e kaluar, ajo nuk mund të mos vërente mungesën e burrave në sallë.

“Ky është dëshpërimi im më i madh” tha ajo, “dhe mendoj se karriera ime do të përfundojë pa u përmirësuar realisht kjo shifër sa herë që flasim për dhunën seksuale”.