Begona Gomez, bashkëshortja e kryeministrit të Spanjës, Pedro Sanchez, është akuzuar për përvetësim fondesh, ushtrim ndikimi të paligjshëm, korrupsion në marrëdhënie biznesi dhe keqpërdorim fondesh, në përfundim të një hetimi dyvjeçar nga një gjykatës në Madrid.
Gomez, 55 vjeçe, akuzohet se ka përdorur ndikimin e saj si bashkëshortja e kryeministrit socialist për të siguruar dhe menaxhuar një post në Universitetin “Complutense” të Madridit, si dhe për të përdorur burime publike dhe lidhje personale për të avancuar interesat e saj private.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoGjykatësi Juan Carlos Peinado ka ngritur akuza edhe ndaj asistentes personale të Gomez, Cristina Alvarez, dhe një biznesmeni, Juan Carlos Barrabes, në lidhje me këtë çështje.
Të gjithë të akuzuarit kanë mohuar çdo keqbërje.
Hetimi ndaj Gomezit është nxitur nga një kallëzim i bërë nga Manos Limpias (Duart e Pastra), një organizatë që e paraqet veten si sindikatë, me lidhje me të djathtën ekstreme dhe me një histori të përdorimit të gjykatave për të ndjekur ata që i konsideron si kërcënim për interesat demokratike të Spanjës.
Sanchez e ka hedhur poshtë vazhdimisht çështjen kundër bashkëshortes së tij si të pabazë dhe të motivuar politikisht. Kryeministri ka akuzuar kundërshtarët e tij politikë dhe mediatikë se po ndjekin familjen e tij dhe ka vënë në dyshim hapur paanshmërinë e disa anëtarëve të sistemit gjyqësor.
Në vendimin e tij prej 39 faqesh, Peinado ka sugjeruar se “disa vendime publike të favorshme për (postin universitar), janë marrë që kur bashkëshorti i Gomez u bë sekretar i përgjithshëm i Partisë Socialiste Punëtore Spanjolle dhe, mbi të gjitha, që kur u bë kryeministër”.
Gjykatësi ka thënë gjithashtu se kishte prova për sjellje në pallatin Moncloa – zyra dhe rezidenca zyrtare e kryeministrit, që “duket më shumë në përputhje me regjime absolutiste".
Vendimi për të ngritur zyrtarisht akuza ndaj Gomez vjen në një moment të tensionuar për Sanchez, pasi vëllai i tij më i vogël, David, pritet të gjykohet muajin e ardhshëm për akuza për ushtrim ndikimi të paligjshëm. Sipas një kallëzimi tjetër nga Manos Limpias, David Sanchez mori një vend pune të krijuar posaçërisht për të nga këshilli i qytetit jugperëndimor Badajoz në korrik 2017, kur vëllai i tij ishte lider kombëtar i partisë socialiste. Ai i mohon akuzat.
Ndërkohë, dy figura të larta ish-zyrtare në qeverinë e Sanchez janë në proces gjyqësor nën dyshimin për korrupsion. Ish-krahu i djathtë i kryeministrit, ish-ministri i transportit Jose Luis Abalos, akuzohet se së bashku me ish-ndihmësin e tij Koldo Garcia dhe biznesmenin Victor de Aldama për marrje ryshfeti në kontrata publike për pajisje sanitare gjatë pandemisë së Covid-it.
Abalos dhe Garcia, të cilët i mohojnë të gjitha akuzat, përballen me dënime përkatësisht prej 24 dhe 19 vjetësh burgim, ndërsa Aldama, i cili tashmë ka pranuar pjesëmarrjen e tij në skemën e dyshuar, përballet me një dënim prej shtatë vjetësh.