Botë

Graham i bën thirrje SHBA-së që të lejojë Izraelin të sulmojë Hamasin në Rafah

Senatori amerikan, Lindsey Graham

Senatori amerikan, Lindsey Graham i ka bërë thirrje administratës së Bidenit dhe Kongresit amerikan që të lejojnë Izraelin të shkatërrojë katër batalionet e Hamasit në bastionin e tij të fundit, në qytetin jugor të Gazës, Rafah, raporton “Associated Press”.

“I bëj thirrje administratës së Bidenit, Kongresit që të sigurohet që Izraeli të ketë kohën dhe hapësirën për të arritur fitoren mbi Hamasin ushtarakisht”, ka deklaruar Graham.

Graham, një senator republikan nga Karolina e Jugut, i cili ishte për një vizitë në Izrael, ka thënë në Jerusalem se shkatërrimi i batalioneve në Rafah ishte i panegociueshëm.

Izraeli po planifikon një ofensivë në Rafah, gjë që ka ndezur alarmin ndërkombëtar për shkak se qindra mijëra palestinezë janë të strehuar atje.

SHBA-ja, aleati kryesor i Izraelit, ka shprehur shqetësime mbi planet e Izraelit në Rafah, duke thënë se një operacion tokësor atje do të shkaktonte më shumë dëm për civilët dhe do ta thellonte krizën humanitare.

Izraeli kishte për qëllim të dërgonte një delegacion në Washington për të diskutuar rreth Rafahut, por e anuloi pasi Shtetet e Bashkuara abstenuan në votimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi një rezolutë që kërkonte armëpushim të menjëhershëm dhe lirimin e pengjeve të mbajtura në Gaza.