Urdhër për Izraelin

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë urdhëron Izraelin të lejojë hyrjen e ndihmave në Gaza

Uria në Gaza

Uria në Gaza

Foto: Associated Press

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ) ka urdhëruar Izraelin që të mundësojë futjen e papenguar të ndihmave në Gaza për të shmangur urinë atje.

Në vendimin e marrë në mënyrë unanime, ICJ-ja ka thënë se Izraeli duhet të veprojë pa vonesa, që të lejojë "sigurimin e shërbimeve bazë të nevojshme urgjente dhe të ndihmës humanitare", raportoi BBC.

Në një përgjigje ndaj vendimit të gjykatës më të rëndësishme të OKB-së, ministria e Jashtme izraelite ka thënë se “ishte duke vazhduar promovimin e iniciativave të reja dhe për të zgjeruar ato ekzistuese për të lejuar një fluks të vazhdueshëm ndihme në Gaza nëpërmjet tokës, ajrit dhe detit", duke punuar me OKB-në dhe të tjerët”.

Izraeli e ka fajësuar Hamasin për situatën e krijuar në Gaza dhe për fillimin e luftës.

Vendimi i fundit nga gjykata e Hagës vjen pasi Afrika e Jugut kishte kërkuar që ajo të lëshojë urdhër për Izraelin që në janar, që të marrë të gjitha masat për të parandaluar aktet gjenocide në Gaza.

Afrika e Jugut ka deklaruar se Izraeli e ka për obligim të veprojë për ta parandaluar gjenocidin, si nënshkruese e Konventës së Gjenocidit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1948. 

Ndonëse urdhrat e lëshuar nga ICJ-ja janë ligjërisht detyruese, gjykatës i mungon kompetenca për t'i zbatuar ato. Këshilli i Sigurimit i OKB-së, është trupi i vetëm i organizatës e cila mund të prezantojë masa për të siguruar zbatueshmërinë.

Vendimi i ICJ-së vjen pas një raporti nga Iniciativa Globale e Klasifikimit të Fazës së Sigurisë Ushqimore të Integruar, e cila drejtohet nga Programi Botëror i Ushqimit dhe të tjerë, i publikuar javën e kaluar ku paralajmërohej se një situatë "katastrofike" po zhvillohej në Gaza.

Ai tha se të gjithë 2.2 milionë njerëzit në Gaza "po përballeshin me nivele të larta të pasigurisë akute ushqimore" dhe se uria parashikohej të godiste veriun e territorit përpara fundit të majit.

Uria ndodh kur një shtet ka një mungesë kaq të madhe ushqimore sa që popullsia e saj përballet me kequshqyerje akute, urin ose vdekje.

Në vendimin e saj, ICJ-ja thotë se Gaza “nuk është duke u përballur më vetëm me rrezikun e urisë” por “uria po zgjerohet”, dhe se sipas një monitorimi të OKB-së, 31 njerëz, përfshirë 27 fëmijë, tashmë kanë vdekur si pasojë e kequshqyerjes dhe dehidratimit, që nga 7 tetori kur ka nisur lufta atje.

 

LEXO EDHE: