Botë

Gjykata bllokoi tarifat e Trumpit – çka do të ndodhë tani?

Donald Trump

Foto: Associated Press

Një gjykatë federale amerikane ka bllokuar tarifat gjithëpërfshirëse të presidentit Donald Trump, duke shënuar një goditje të madhe për një komponent kyç të politikave të tij ekonomike.

Gjykata e Tregtisë Ndërkombëtare ka vendosur se një ligj emergjent i thirrur nga Shtëpia e Bardhë nuk i jepte presidentit autoritet të njëanshëm për të vendosur tarifa ndaj pothuajse çdo vendi.

Gjykata me seli në Manhatan ka thënë se Kushtetuta e SHBA-së i ka dhënë Kongresit kompetenca ekskluzive për të rregulluar tregtinë me kombet e tjera dhe kjo nuk u zëvendësua nga përgjegjësia e presidentit për të mbrojtur ekonominë.

Administrata Trump ka paraqitur një apel brenda pak minutash nga vendimi.

Kush e ngriti çështjen gjyqësore?

Padia është ngritur nga qendra jopartiake “Liberty Justice Center” në emër të pesë bizneseve të vogla që importojnë mallra nga vendet e prekura nga detyrimet.

Kjo është sfida e parë e madhe ligjore ndaj tarifave të ashtuquajtura të "Ditës së Çlirimit" të Trumpit.

Një panel prej tre gjyqtarësh vendosi se Akti Ndërkombëtar i Fuqive Ekonomike të Emergjencave (IEEPA), një ligj i vitit 1977 që Trumpi ka cituar për të justifikuar tarifat, nuk i jep atij fuqinë për të vendosur taksat gjithpërfshirëse të importit.

Gjykata gjithashtu ka bllokuar një grup të veçantë taksash ndaj Kinës, Meksikës dhe Kanadasë, të vendosura në përgjigje të asaj që administrata Trump ka thënë se ishte fluksi i papranueshëm i drogës dhe imigrantëve të paligjshëm në SHBA.

Megjithatë, gjykatës nuk i është kërkuar të adresojë tarifat e vendosura për disa mallra specifike si veturat, çeliku dhe alumini, të cilat bien nën një ligj tjetër.

Cilat kanë qenë reagimet deri tani?

Shtëpia e Bardhë e ka kritikuar vendimin, megjithëse Trumpi ende nuk e ka komentuar drejtpërdrejt.

"Nuk u takon gjyqtarëve të pazgjedhur të vendosin se si të trajtojnë siç duhet një emergjencë kombëtare”, ka thënë në një deklaratë zëvendëssekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Kush Desai.

“Presidenti Trump është zotuar ta vendosë Amerikën në radhë të parë dhe administrata është e përkushtuar të përdorë çdo levë të pushtetit ekzekutiv për të adresuar këtë krizë dhe për të rivendosur madhështinë amerikane”, ka shtuar ai.

Por Letitia James, Prokurorja e Përgjithshme e Neë Yorkut, një nga 12 shtetet e përfshira në padi, e ka mirëpritur vendimin.

“Ligji është i qartë: asnjë president nuk ka fuqinë të rrisë i vetëm taksat sa herë të dojë”, ka thënë Letitia James.

“Këto tarifa janë një rritje masive e taksave për familjet me të punuësuar dhe bizneset amerikane, dhe këto do të kishin çuar në më shumë inflacion, dëme ekonomike për bizneset e të gjitha madhësive dhe humbje të vendeve të punës në të gjithë vendin nëse do të lejohej të vazhdonin”, ka shtuar ajo.
Tregjet globale i janë përgjigjur pozitivisht vendimit. Tregjet e aksioneve në Azi janë rritur  të enjten në mëngjes, teksa dollari amerikan është rritur kundrejt jenit japonez dhe frangut zviceran.

Çfarë ndodh tani?

Shtëpia e Bardhë ka 10 ditë kohë për të përfunduar procesin burokratik të ndalimit të tarifave, megjithëse shumica aktualisht janë pezulluar gjithsesi.

Çështja duhet të kalojë në procesin e apelimit. Nëse Shtëpia e Bardhë është e pasuksesshme në apelimin e saj, Agjencia e Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit të SHBA-së (CBP) më pas do t'u japë udhëzime oficerëve të saj, ka thënë për BBC-në, John Leonard, një ish-zyrtar i lartë në CBP-së. Thënë kështu, një gjykatë më e lartë mund të jetë më miqësore me Trumpin.

Por nëse të gjitha gjykatat mbështesin vendimin, bizneset që duhet të paguajnë tarifat do të marrin rimbursimet për shumat e paguara, me interes. Këto përfshijnë të ashtuquajturat tarifa reciproke, të cilat u ulën në 10% në të gjithë botën për shumicën e vendeve dhe u rritën në 145% për produktet kineze, tani janë 30%.

Leonard ka thënë se nuk do të ketë asnjë ndryshim në kufi tani për tani dhe tarifat do të duhet të paguhen.

Si ka ardhur gjithçka deri këtu?

Më 2 prill, Trumpi ka zbuluar një regjim të paprecedentë tarifor global duke vendosur taksa importi për shumicën e partnerëve tregtarë të SHBA-së.

Një tarifë bazë prej 10% është vendosur ndaj shumicës së vendeve, së bashku me tarifa reciproke më të rrepta të dhëna për dhjetëra kombe dhe blloqe, duke përfshirë BE-në, Britaninë e Madhe, Kanadanë, Meksikën dhe Kinën.

Trumpi ka argumentuar se politika gjithëpërfshirëse ekonomike do të nxiste prodhimin amerikan dhe do të mbronte vendet e punës.

Mirëpo tregjet globale janë përfshirë në kaos që nga njoftimi dhe më vonë pas ndryshimit të Trumpit dhe ndalimit të tarifave pasi qeveritë e huaja erdhën në tryezën e negociatave.

Trazirave iu shtua një luftë e zgjatur tregtare me Kinën, pasi dy superfuqitë ekonomike të botës u angazhuan në një rritje të tarifave, të cilat arritën kulmin me një taksë prej 145% të SHBA-së për importet kineze dhe një taksë kineze prej 125% mbi importet amerikane.

Dy ekonomitë më të mëdha në botë që atëherë kanë rënë dakord për një armëpushim tregtar, me tarifat e SHBA-së ndaj Kinës që kanë rënë në 30%, dhe tarifat kineze për disa importe amerikane janë ulur në 10%.

Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja kanë njoftuar gjithashtu një marrëveshje për tarifa më të ulëta midis dy qeverive.

Trumpi ka kërcënuar një tarifë 50% nga qershori për të gjitha mallrat që vijnë nga BE-ja pasi shprehu zhgënjimin me ritmin e bisedimeve tregtare me bllokun, por më pas ka rënë dakord të zgjasë afatin me më shumë se një muaj pasi shefja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen tha se duhej më shumë kohë.