Botë

Gjermania thotë se aeroplani ushtarak rus hyri në hapësirën ajrore mbi Detin Baltik

Foto: NATO

NATO-ja ka dërguar dy aeroplanë “Eurofighter” mbi Detin Baltik të dielën, pasi një aeroplan rus i spiunazhit u zbulua duke fluturuar pa plan fluturimi të paraqitur më parë, ka njoftuar delegacioni gjerman në NATO. 

Aeroplani i tipit Il-20M u nis nga Rusia dhe hyri në hapësirën ajrore ndërkombëtare pa njoftuar autoritetet, raportoi Reuters.

Sipas Forcave Ajrore Gjermane, pas identifikimit vizual të aeroplanit, ushtria gjermane e dorëzoi shoqërimin e aeroplanit te partnerët suedezë të NATO-s.

I pajisur me radar, sisteme të inteligjencë së sinjalit dhe sisteme lufte elektronike, Il-20M është projektuar për të ndjekur komunikimet dhe mbrojtjen ajrore, duke siguruar inteligjencë për operacionet ruse.

Ndërhyrja e tij shënon rastin më të fundit të Rusisë që po teston mbrojtjen lindore të NATO-s.

Tre avionë luftarakë rusë MiG-31 hynë në hapësirën ajrore të Estonisë mbi Gjirin e Finlandës më 19 shtator, duke qëndruar për 12 minuta përpara se të largoheshin.

Estonia e quajti këtë veprim shkelje serioze dhe kërkoi konsultime sipas Nenit 4 të NATO-s, i cili u lejon anëtarëve të kërkojnë bisedime me aleatët nëse siguria e tyre kërcënohet.

Vetëm pas një dite, Polonia raportoi se aeroplanët luftarakë rusë kanë hyrë pranë një platforme kërkimore të naftës në Detin Baltik. Ndërsa më 10 shtator, Polonia rrëzoi dronët rusë që hynë në territorin e saj gjatë një sulmi ndaj Ukrainës, hera e parë që një anëtar i NATO-s është angazhuar drejtpërdrejt me mjete ushtarake ruse mbi hapësirën e vet ajrore që nga fillimi i luftës.

Rumania raportoi një shkelje të ngjashme më 13 shtator, duke ngritur në ajër dy aeroplanë F-16 pasi zbuloi një dron rus që hyri në hapësirën e saj ajrore gjatë një sulmi në Ukrainë.

Në përgjigje të kërcënimeve në rritje, NATO-ja nisi misionin “Eastern Sentry” për të forcuar krahun e saj lindor.