Gjashtë koka të prera janë gjetur në një rrugë në Meksikën qendrore, në një zonë që normalisht nuk përballet me dhunën e karteleve.
Autoritetet lokale i kanë gjetur kokat herët të martën në mëngjes në një rrugë që lidh shtetet kryesisht paqësore të Puebla dhe Tlaxcala.
Policia nuk ka dhënë një motiv për vrasjet dhe as nuk ka thënë se cili nga grupet kriminale që veprojnë në Meksikë mund t'i ketë kryer ato, raporton BBC.
Media lokale ka raportuar se në vendngjarje është lënë një batanije me një mesazh që dërgon një paralajmërim për bandat rivale, dhe me sa duket është nënshkruar nga një grup i quajtur "La Barredora", që do të thotë "pastruesi".
Është i njëjti emër me një grup kriminal pak të njohur që vepron në shtetin perëndimor të Guerrero, por nuk është e qartë nëse ata ishin pas sulmit apo pse.
Zyra e prokurorit lokal ka thënë se kokat e gjetura në Tlaxcala ishin të burrave dhe ka nisur një hetim për vrasjet, sipas agjencisë së lajmeve AFP.
Përveç trafikimit të drogës, ekziston një problem në rajon me kontrabandën e karburantit, i njohur si "huachicolea", i cili gjeneron miliarda dollarë në vit për grupet që qëndrojnë pas aktivitetit të paligjshëm.
Deri më tani, autoritetet federale nuk kanë komentuar mbi rastin.
Vrasjet vijnë në mes të një goditjeje të madhe nga administrata e presidentes, Claudia Sheinbaum kundër trafikimit të fentanilit.
Puebla dhe Tlaxcala nuk njihen për llojin e dhunës ekstreme të karteleve që është e zakonshme në pjesë të tjera të vendit.
Në qershor, trupat e 20 personave janë gjetur në Sinaloa, një shtet i kapluar nga dhuna e bandave.
Dhuna midis karteleve është rritur ndjeshëm vitet e fundit, me qindra mijëra njerëz të vrarë dhe dhjetëra mijëra të zhdukur që kur qeveria filloi të përdorte ushtrinë meksikane kundër bandave në vitin 2006.