Besar Gërgi, hulumtues në GLPS, ka thënë se nuk pret që presidenti rus, Vladimir Putin, të ofrojë armëpushim të plotë për luftën në Ukrainë, në takimin që po mban me presidentin amerikan, Donald Trump, në Alaskë.
Sipas tij, Rusia mund të ofrojë diçka, por jo armëpushimin e plotë, siç kërkon Perëndimi.
“Patën bisedë të përbashkët liderët evropianë dhe Zelensky me Trumpin para se të niste ky takim dhe më pas kancelari gjerman tha diçka të rëndësishme. Ai tha se ‘e kemi parasysh se çfarëdo diskutimi do të bazohet mbi realitetin në terren, por se kërkesa jonë është që nëse ka negociata dhe diskutime mbi kufijtë kjo të bëhet vetëm me prezencën e Ukrainës’. Prandaj Trumpi kishte presion edhe nga elektorati i vet por edhe nga liderët evropianë që të mos diskutojnë dhe e bëri të qartë që sot nuk do të ketë diskutim për kufijtë, por vetëm për një lloj armëpushimi. Është kërkesë perëndimore që para çfarëdo negociate duhet të ketë armëpushim”, ka thënë Gërgi në Interaktiv të KTV-së.
Ai ka thënë se Putini mund të ofrojë një lloj armëpushimi, qoftë në ajër apo në det, por jo të plotë.
“Ndoshta në ajër ku kemi pa se Rusia ka marrë shumë goditje nga dronët rusë... ndoshta në det kur s’ka ndonjë farë luftimi të madh... edhe aty ka pasur humbje të mëdha Rusia. Sipas të gjitha gjasave do të ofrojë copëz armëpushimi, por jo që ndryshon realitetin”, ka shtuar ai.
