Botë

“Gandalfi” - Kultivuesi i marihuanës mjekësore: Hero popullor apo kriminel?

“Gandalfi” -  Kultivuesi i marihuanës mjekësore: Hero popullor apo kriminel?

Paul Smith, i njohur si “Gandalfi”, është kthyer në simbol të pacientëve që varen nga kanabisi mjekësor në Zelandën e Re. Prej vitesh ai kultivonte fshehurazi bimën për t’u dhënë lehtësim atyre që vuanin nga dhimbjet kronike, kanceri apo epilepsia, shpesh pa kërkuar asnjë pagesë. Bastisja policore që i shkatërroi serrat e izoluara në Northland e çoi 66-vjeçarin në bankën e të akuzuarve, duke ndezur debate rreth sistemit të rregulluar të kanabisit mjekësor. Ndërsa ai përballet me akuza penale, dhjetëra mbështetës e shohin Smithin si shpëtimtar, jo shkelës ligji.

Njeriu i njohur nga shumëkush si “Gandalfi” ecte zbathur mbi dhe, mes copëzash xhami të thyer dhe trarësh druri të rrëzuar me gozhda që dilnin sheshit.
Tetë muaj më parë, dhjetëra policë të armatosur kishin zbarkuar në shtëpinë e tij të largët në rajonin Northland të Zelandës së Re. Ata shkatërruan me sëpata kornizat e tri serrave që ai i kishte ndërtuar dhe shkulën bimët për të cilat kujdesej me dashuri -  “vajzat” e tij, siç i quante shpesh.

Prej vitesh, 66-vjeçari Paul Smith, një “hipi” i vjetër me flokë e mjekër të gjatë argjendi që i kishin sjellë nofkën “Gandalf” (personazhit nga librat dhe filmat “Lord of the Rings” nga J.R.R. Tolkien), kultivonte kanabis - përsoste llojet, rafinonte procesin e tharjes së kokrrave dhe nxjerrjes së vajit të tyre. Ai thotë se pjesën më të madhe të produktit e jepte për qindra qytetarë të Zelandës së Re që vuanin nga dhimbjet.

Shumë prej atyre që i drejtoheshin, tregonte ai, ishin pacientë me kancer, disa në vitet e fundit të jetës. Të tjerë ishin fëmijë që përjetonin kriza epileptike. Amputues, diabetikë, pacientë që kishin kryer transplante, si edhe njerëz që vuanin nga artriti, Parkinsoni, shiatiku apo disku i hernizuar - disi e gjenin numrin e tij të shtëpisë dhe e telefononin në linjën e tij fikse. Ai i shënonte me dorë bisedat në një fletore të kuqe.

Smith është një nga personat që vepronin fshehurazi në Zelandën e Re dhe që quhen “Zanat e Gjelbra” - njerëz që rrisin dhe u japin të tjerëve marihuanë për arsye mjekësore, duke punuar jashtë ligjit për vite me radhë, derisa vendi e legalizoi marihuanën mjekësore në vitin 2020.

Legalizimi solli një mori rregullash për kultivuesit dhe distributorët, përfshirë tarifa, licenca dhe hapa të tjerë që mund t’i kushtonin një sipërmarrësi qindra mijëra dollarë. Shumica e kultivuesve vazhduan të operonin në hije dhe shumë klientë të tyre vazhduan t’u drejtoheshin atyre deri sa policia ndërhyri.

Një nga pakot Smithit iu kap vitin e kaluar, çka çoi në një bastisje policore në shkurt. Tani ai përballet me akuza për kultivim, posedim dhe shitje të kanabisit dhe vajit të kanabisit.

Në mbrojtje të Smithit

Rasti penal ka bërë që Smithi të fitojë mbështetje nga pacientët dhe nga aktivistët që promovojnë përdorimin terapeutik të marihuanës, shumë prej të cilëve theksojnë se ai u kishte ofruar ndihmë në mënyrë të shpeshtë dhe me kosto minimale.
Mbështetësit kanë organizuar protesta gjatë seancave gjyqësore ndaj tij, kanë dënuar ndjekjen penale në mediat lokale dhe kanë mbledhur fonde për mbrojtjen e tij ligjore.

“Është e neveritshme që sipërmarrësit e vërtetë të këtij sektori janë përjashtuar. Jo vetëm kaq, por po përndiqen”, tha Mitch Harris, i cili tregoi se si vajza e tij, August - që është e shurdhër, e verbër dhe me vonesa në zhvillim, kishte përfituar nga vaji i Smithit, i cili i kishte zvogëluar shpeshtinë dhe ashpërsinë e krizave të saj.

Policia e Zelandës së Re nuk pranoi të komentonte posaçërisht për çështjen Smithit, por në një deklaratë tha se përdorimi i kanabisit mjekësor kontrollohet nga Ministria e Shëndetësisë për t’u siguruar që produktet plotësojnë rregullat e sigurisë.

Historia e Smithit ka bërë shumë jehonë sidomos në rajonin Northland, një zonë e varfër dhe e rrallë në veri të Aucklandit, ku mënyra e tij kundër sistemit - duke mos i kushtuar shumë rëndësi ligjit apo autoriteteve, gjeti mbështetje. Për shumë nga klientët e tij, kostoja dhe lodhja për të marrë një recetë të ligjshme dhe për të gjetur një shpërndarës të autorizuar do të ishte aq e madhe, sa do të mbeteshin pa trajtim.

Vetitë mjekësore të përbërësve të kanabisit vazhdojnë të jenë të pastudiuara mjaftueshëm dhe shkencërisht jo përfundimtare. Por disa persona që kanë përdorur produktet e Smithit thonë se ata ose të afërmit e tyre kanë ndier lehtësim të madh.

Delia Quedec tha se vaji i zotit Smith i riktheu oreksin dhe energjinë bashkëshortit të saj para se ai të vdiste në vitin 2023 nga kanceri i fshikëzës urinare - mjaftueshëm sa që ai të mund ta çonte në një udhëtim të fundit në Ishullin e Jugut, një nga zonat më piktoreske të vendit. Ajo kujton se një herë, kur kishte rënë zjarr në shtëpinë e tyre gjatë sëmundjes së bashkëshortit, Smith u kishte dërguar jo vetëm vajin falas, por edhe 500 dollarë të Zelandës së Re (rreth 280 dollarë amerikanë) si ndihmë.

Ajo thotë se nuk e besonte që ai po ndiqej penalisht, në vend që të nderohej.

“Asnjëherë nuk e kam menduar se policia do ta bastiste”, tha ajo. “Ai meriton të dekorohet, për gjithë dhimbjen dhe sëmundjet që ka ndihmuar të lehtësohen”.

Smith - i cili e mori nofkën “Gandalf” shumë vite më parë në një festë me maska,  nuk kishte synuar kurrë të bëhej një ofrues mjekësor i kanabisit.

Frikë nga bastisja e policisë

Ai thotë se ka kaluar një fëmijëri me pak kujdes prindëror – duke lëvizur nga një i afërm te tjetri, me periudha në jetimore dhe duke lënë shkollën në moshën 14-vjeçare. Për një periudhë ishte vegan dhe kultivonte vetë ushqimin e tij. Në rininë e tij eksperimentoi me LSD, psilocibinë dhe meskalinë, dhe rriti kanabis me ndërprerje që nga mosha 19 vjeç.

Pasi takoi bashkëshorten e tij, Karen,  me të cilën ka tre fëmijë dhe nipa e mbesa,  ai u shpërngul në një pronë rreth gjysmë ore larg rrugës më të afërt të asfaltuar. Familja gjente ushqimin duke gjuajtur dhitë e egra dhe herë pas here ndonjë derr të egër, duke jetuar kryesisht me çfarë siguronte vetë toka.

Ai ishte një hortikulturist natyral dhe kanabisi ishte një nga shumë kulturat që ai kultivonte në tokën e tyre të largët pyjore. Në dekadat para se të përqendrohej te kanabisi mjekësor, Smith ishte ndjekur penalisht tre herë për akuza të lidhura me kanabisin, duke marrë dënime me arrest shtëpie ose punë në komunitet.
Rreth një dekadë më parë, ai u njoh me Pearl Schomburgun, e cila vuante prej vitesh nga artriti reumatoid. Një mike e saj i dha pak nga vaji i Smithit, dhe Schomburg tha se ndjeu lehtësim të menjëhershëm dhe të jashtëzakonshëm nga dhimbja e saj e fortë dhe kronike. Ajo i tha mikes se nuk mund ta përballonte me të ardhurat e saj të aftësisë së kufizuar, kështu që Smith ia dhuroi, kujton ajo.
“Nuk njoh asnjë ‘zanë të gjelbër’ tjetër në Zelandën e Re që vepron si ai”, tha ajo.

Po atë periudhë, Schomburg filloi të fliste hapur si aktiviste për legalizimin e kanabisit për përdorim mjekësor. Kur pacientë i drejtoheshin për informacion, ajo filloi t’i referonte te Smithi.

Smith tha se mesazhet nga njerëz që kërkonin lehtësim filluan të grumbulloheshin në sekretarinë e tij telefonike sa herë që ai mungonte për disa orë. Sipas tij, ai filloi të punonte me orë të gjata, shtatë ditë në javë, për të përballuar kërkesën.
“Ka shumë njerëz që kanë nevojë për ndihmë, dhe sistemi shëndetësor po i zhgënjen, në mënyrë të tmerrshme”, tha ai.

Schomburg tha se, si një stërgjyshe 73-vjeçare me një sëmundje autoimune, kishte besuar se ishte e sigurt të fliste hapur për përvojën e saj me kanabisin. Ajo mendonte se edhe  Smith - një gjysh i përkushtuar për të furnizuar pacientët që vuajnë -  ishte pak e mundshme të përballej me ndjekje penale.
Ajo tha se gjithmonë kishte qenë e qartë që Smith, një burrë që mezi duron të mbajë këpucë, nuk do të pranonte kurrë të kalonte nëpër procedurat zyrtare për të marrë akreditim ligjor.
“Këta njerëz s’kanë dëshirë të veshin bluza të bardha”, tha Schomburg.

Karen Smith, gruaja e Smithit prej katër dekadash, tha në një intervistë në verandën e shtëpisë së tyre se ajo kishte qenë gjithnjë e shqetësuar për një kontroll të mundshëm nga policia. Ajo rrinte ulur po në të njëjtën verandë, më herët këtë vit, ndërsa oficerët përshkonin pronën e tyre.
“Në fund të fundit, duhet të shohim sa jetë kemi ndryshuar, dhe kjo e bën çdo gjë të vlefshme, sidomos fëmijët e vegjël”, tha ajo. “Përfitimet e tejkalojnë frikën që kam pasur”.

Smith pritet të paraqitet në gjykatë në Whangarei në dhjetor.
Disa muaj pas bastisjes, mes rrëmujës në serrat e shkatërruara nga policia, ai pa një syth të vogël kanabisi që dilte nga dheu. Një farë e humbur iu kishte mbijetuar autoriteteve, disa ngricave dhe muajve të tërë moskujdesi.
“Është një farë mjaft e fortë”, tha Smith, duke treguar bimën që tashmë ishte rritur disa centimetra në lartësi. “Një bimë sfiduese”, tha ai, duke nënkuptuar “luftën” me sistemin e vendit.