Botë

Fuqia e fotografisë: Si u shpërfaq tmerri dhe kaosi i bombave amerikane në Venezuelë

Mariana Camargo

Foto: Associated Press

Kur shpërthimet tronditën kryeqytetin e Venezuelës, 21-vjeçarja Mariana Camargo nisi të vraponte në rrugët e Karakasit lindor.

Ishte 2:05 e mëngjesit kur fotografi i agjencisë së lajmeve “Associated Press”, Matias Delacroix, ishte rrugëve duke shkrepur momentet e para të shpërthimeve. Në atë çast u kap edhe një prej fotografive që u bë imazh simbol i operacionit ushtarak amerikan në Venezuelë.

Disa ditë më pas, pasi presidenti Nicolas Maduro u zëvendësua nga zëvendësja e tij pas kapjes nga SHBA-ja, Camargo dhe Delacroix u ritakuan në të njëjtin vend ku u shkrep fotografia emblematike.

“Një grua arriti me një kamion të madh dhe ndaloi me nxitim e na tha ‘fëmijë çfarë po bëni këtu, ecni në shtëpi se po bombardojnë!'” ka kujtuar Camargo. “Ishim nëntë njerëz dhe të gjithë nisëm të vrapojmë. E unë kalova këndej”.

Fotografia e shfaq Camargon me një fanellë të bardhë dhe pantallona, e fytyrën e mbushur frikë e urgjencë. Pas saj shihet grupi i miqve duke e ndjekur. Camargo ka treguar se e ka parë Delacroixin anash rrugës teksa shkrepte fotografitë.

Ishte emocioni në sytë e Camargos që mori vëmendjen e Delacroixit, i cili ishte zgjuar pak më herët dhe me të dëgjuar bombardimet kishte dalë në rrugë.

“Ajo që më mori vëmendjen ishte se si po vraponin, me telefona e qartësisht të frikësuar. Kam fotografi të miqve prapa jush, por mes dy fotografive, e jotja ishte ajo që e shpërfaqi më së miri atë që po ndodhte”, i ka thënë Delacroix Camargos teksa ia tregonte fotografitë në telefon.

Kur fotografia mori vëmendjen e botës duke u shfaqur në ballinat e mediave më prestigjioze botërore, miqtë e Camargos nisën t’i shkruanin në grupet e WhatsAppit.

“A po më duket apo është Nana Mariana???” e ka pyetur një nga miqtë e saj, duke ia dërguar fotografinë. (Në Venezuelë, Nana është nofkë për Marianan). “Po është NANA” u përgjigj një shoqe menjëherë.

Fotografia fillimisht u pa me pak shaka nga Camargo. “Më bënë meme dhe qeshëm. Por ende e shoh videon e asaj dite, të eksplodimeve, dhe kur i dëgjoj eksplodimet, ende ndjej panikun”.

Të dielën, një ditë pas sulmeve dhe kaosit, Camargo i shkroi Delacroixit në llogarinë e tij në Instagram duke i kërkuar më shumë fotografi të momentit.