Botë

Forcat ruse pranë marrjes së qytetit lindor ukrainas Pokrovsk, një fitore simbolike për Putinin

rusi

Forcat ruse duket se janë në prag të marrjes nën kontroll të qytetit lindor ukrainas Pokrovsk, një fitore simbolike që Presidenti Vladimir Putin e ka ndjekur prej 21 muajsh, me një kosto gjithnjë e më të rëndë në njerëz dhe mjete.

Luftimet brenda qytetit janë ashpërsuar ndjeshëm ditët e fundit, pasi trupat ruse kanë arritur të depërtojnë në disa lagje të tij. Sipas burimeve në terren, rënia e Pokrovskut, edhe pse vlera e tij strategjike është tashmë e kufizuar, duket pothuajse e pashmangshme, dhe do të përbënte fitimin më të madh për Moskën që nga viti 2023.

Kievi ka hedhur poshtë pretendimet ruse se forcat ukrainase në Pokrovsk janë tashmë të rrethuara, duke deklaruar të mërkurën se operacionet mbrojtëse për ndalimin e avancimit rus po vazhdojnë.

Megjithatë, ushtarët ukrainas në terren përshkruajnë një situatë gjithnjë e më të rëndë.

“Situata është e vështirë, me të gjitha llojet e luftimeve, përleshje në rrugë dhe bombardime me të gjitha armët”, tha për CNN një komandant batalioni, i cili foli në kushte anonimiteti për arsye sigurie.

“Jemi pothuajse të rrethuar, por jemi mësuar me këtë,” shtoi ai. Një tjetër ushtar, që kërkoi të mbetet anonim, tha se ushtria ruse po shtyn përpara me numër të madh trupash, duke rritur presionin mbi mbrojtësit ukrainas.