Fituesja e Çmimit “Nobel për Paqen”, udhëheqësja e opozitës venezueliane, Maria Corina Machado, ka përshëndetur të enjten një turmë nga ballkoni i një hoteli në qendër të Oslos.
Machado u shfaq në kryeqytetin norvegjez në mes të natës, duke përshëndetur nga ballkoni i një hoteli. Ishte hera e parë që ajo është parë në publik që nga janari.
Machado ka munguar të mërkurën në ceremoninë në Norvegji, në të cilën do të merrte çmimin Nobel për Paqen të këtij viti, por lajmi se ajo kishte udhëtuar për në Evropë shkaktoi reagime në vendin e saj, ku shumë e mbështesnin pikërisht sepse ajo nuk ishte larguar nga atdheu i saj.
Vajza e Machados ka pranuar çmimin në emër të saj në një ceremoni që u shndërrua në një tubim për demokracinë dhe po aq, një aktakuzë ndaj qeverisë së Venezuelës.
Pjesëmarrësit në ceremoni dëgjuan në detaje shkeljet e dokumentuara të të drejtave të njeriut të kryera kundër kundërshtarëve të vërtetë ose të perceptuar të presidentit, Nicolas Maduro.
Deri të mërkurën në mbrëmje, nëna e tre fëmijëve nuk i kishte parë fëmijët e saj prej rreth dy vjetësh pasi i kishte dërguar ata larg Venezuelës për sigurinë e tyre.
Në një intervistë me BBC-në pas paraqitjes së saj në ballkon, Machado ka thënë se kishte humbur diplomimet e tyre dhe dasmat e vajzës së saj dhe njërit prej djemve të saj.
"Për më shumë se 16 muaj nuk kam qenë në gjendje të përqafoj ose prek askënd”, ka thënë ajo.
"Papritmas brenda pak orësh kam mundur të shoh njerëzit që dua më shumë, t'i prek ata dhe të qaj e të lutem së bashku”, ka shtuar Machado.
Ka pasur shumë spekulime nëse ajo do të jetë në gjendje të kthehet shëndoshë e mirë në Venezuelë.
"Sigurisht që do të kthehem”, i ka thënë ajo BBC-së. "I di saktësisht rreziqet që po marr”, ka shtuar.
"Do të jem në vendin ku jam më e dobishme për kauzën tonë. Deri pak kohë më parë, vendi ku mendoja se duhej të isha ishte Venezuela, vendi ku besoj se duhet të jem sot, në emër të kauzës sonë, është Oslo”, ka shtuar Machado.
Machado thotë se SHBA-ja e ndihmoi që të largohet nga Venezuela
Nobelistja venezueliane, Maria Corina Machado, ka thënë se ka marrë “mbështetje” nga Shtetet e Bashkuara për të udhëtuar në Norvegji për të pranuar Çmimin Nobel për Paqen, por nuk ka pranuar të japë hollësi.
E pyetur për rrethanat në të cilat është larguar nga Venezuela dhe nëse ka përfituar nga ndihma e autoriteteve amerikane, udhëheqësja e opozitës u përgjigj: “Po, morëm mbështetje nga qeveria e Shteteve të Bashkuara.”
“Nuk mund të jap detaje, sepse janë njerëz që mund të dëmtohen”, ka thënë Machado për ata që e ndihmuan udhëtimin e saj.
“Sigurisht, regjimi do të kishte bërë gjithçka për të më penguar të vija. Ata nuk e dinin se ku isha fshehur në Venezuelë, kështu që ishte e vështirë për ta të më ndalonin”, ka shtuar Mochado.
Mochado është paraqitur të mërkurën për herë të parë publikisht që nga janari, duke u shfaqur në ballkonin e një hoteli në Oslo, përpara të cilit e prisnin shumë mbështetës.