Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

FBI-ja po hetonte zyrtarin e lartë amerikan që u dorëhoq për shkak të luftës ndaj Iranit

Joe Kent

Foto: Associated Press

Dorëheqja e Joe Kent, i cili ishte kreu i Qendrës Kombëtare kundër Terrorizmit dhe që në letrën e dorëheqjes u shpreh kundër luftës së SHBA -së në Iran, mori një kthesë dramatike të mërkurën, pasi u raportua se ai është nën hetim nga Byroja Federale e Hetimit (FBI) për një rrjedhje të dyshuar të informacionit të klasifikuar.

Hetimi i paraprin largimit të Kentit të martën nga posti i tij, ku ai mbikëqyrte analizën e kërcënimeve terroriste, sipas Semafor dhe CBS News. FBI-ja ka refuzuar të komentojë mbi ekzistencën e një hetimi të tillë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Raporti ka ardhur në të njëjtën kohë kur Kent, anëtari i parë i lartë i administratës Trump që ka dhënë dorëheqjen për shkak të luftës, ka dhënë intervistën e tij të parë mediatike pas largimit nga detyra.

Duke folur me komentatorin e djathtë Tucker Carlson, ai pretendonte se zërat kundërshtues u përjashtuan në mënyrë efektive nga procesi vendimmarrës që çoi në sulmet ajrore të SHBA ndaj Iranit më 28 shkurt.

“Një pjesë e madhe e vendimmarrësve kyç nuk u lejuan të vinin dhe të shprehnin mendimin e tyre para presidentit”, ka thënë Kent në podcast-in “The Tucker Carlson Show”. 

“Nuk pati një debat të plotë dhe të hapur”, ka shtuar ai.

Ai ka paraqitur një Shtëpi të Bardhë ku Trumpi mbështetej në një rreth të ngushtë këshilltarësh, duke anashkaluar zyrtarët që vinin në dyshim si inteligjencën ashtu edhe arsyetimin strategjik pas sulmeve.

Kent këmbëngul se nuk kishte prova që Irani ishte afër sigurimit të një arme bërthamore apo që përbënte një kërcënim të drejtpërdrejtë për SHBA-ja. 

“Nuk kishte asnjë informacion inteligjence që thoshte: ‘Në këtë apo atë datë, më 1 mars, iranianët do të nisin një sulm të madh të papritur – diçka si 11 Shtatori, Pearl Harbor etj., do të sulmojnë një nga bazat tona. Nuk kishte asgjë të tillë”, ka deklaruar ai.

Në vend të kësaj, Kent pretendon se Trumpi u shty në mënyrë efektive nga Izraeli. 

“Izraelitët e shtynë vendimin për të ndërmarrë këtë veprim”, ka thënë ai, duke pohuar se kryeministri Benjamin Netanyahu dhe zyrtarë të tjerë izraelitë lobuan te presidenti me pretendime që nuk përputheshin me kanalet zyrtare të inteligjencës.

“E di si funksionon kjo. E di që zyrtarët izraelitë, disa në inteligjencë, disa në qeveri, vijnë te zyrtarët amerikanë dhe thonë gjëra që ne nga inteligjenca jonë e dimë që thjesht nuk janë të vërteta. Ata thonë: po ju jap një paralajmërim, ende nuk është në kanalet e inteligjencës, por ja çfarë do të ndodhë, dhe zakonisht kjo nuk realizohet.”

Këto komente kanë shkaktuar reagime të menjëhershme në disa qarqe, teksa kritikët argumentojnë se referencat ndaj një “lobi izraelit” afrohen me stereotipe ofenduese. Edhe Carlson është përballur me kritika të ngjashme, sidomos pasi më herët kishte intervistuar aktivistin antisemit, Nick Fuentes.

Kent, i cili nuk ka specifikuar se kush ia bllokoi qasjen te presidenti, përmendi gjithashtu deklaratat e sekretarit të shtetit, Marco Rubio dhe kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson si tregues të ndikimit të Izraelit mbi kohën e sulmeve.