Paralajmërime për motin janë lëshuar për këtë fundjavë në pjesë të mëdha të rajonit të Mesdheut, ndërsa temperaturat pritet të kalojnë 40 gradë Celsius.
Agjencia franceze e lajmeve (AFP) ka raportuar se në Spanjë, ekipet emergjente mjekësore janë përgatitur për një rritje të rasteve, veçanërisht te grupet më të ndjeshme si fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.
Në Portugali, agjencia kombëtare meteorologjike (IPMA) ka njoftuar se vala e të nxehtit do të godasë që të shtunën, me temperaturat që pritet të kalojnë 40°C në jug të vendit, si dhe në luginat e Tagusit në qendër dhe të Douros në veri.
21 qytete në Itali u vendosën gjithashtu në alarm të kuq, përfshirë Romën, Milanon dhe Venecian, ku njerëzve u është kërkuar të mos dalin nga shtëpia midis orës 11:00 dhe 18:00.
Në Firence pritet që temperaturat të arrijnë deri në 37 gradë Celsius të shtunën. Edhe Greqia po përgatitet për përballimin e valës së të nxehtit, ku një paralajmërim meteorologjik ka njoftuar se temperatura pritet të shkojnë deri në 40 gradë Celcius.