Ministrat e Jashtëm të Gjermanisë, Francës dhe Britanisë planifikojnë të zhvillojnë bisedime bërthamore me homologun e tyre iranian të premten në Gjenevë, ka thënë një burim diplomatik gjerman për Reuters.
Ministrat do të takohen së pari me diplomaten më të lartë të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, përpara se të zhvillojnë një takim të përbashkët me ministrin e jashtëm iranian, ka thënë burimi.
Iniciativa evropiane vjen mes frikës së një konflikti në rritje në Lindjen e Mesme, pasi Izraeli ka nisur sulme të gjera ushtarake ndaj armikut të tij të betuar, Iranit, javën e kaluar dhe Irani ka kryer sulme hakmarrëse në objektiva izraelite.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka refuzuar të deklarojë nëse Shtetet e Bashkuara do t'i bashkohen fushatës ushtarake të aleatit të tyre, Izraelit, duke nxitur shqetësimet se kriza mund të intensifikohet.
Qëllimi i bisedimeve midis Iranit dhe evropianëve, për të cilat burimi gjerman ka thënë se po zhvillohen në koordinim me Shtetet e Bashkuara, është të bindin palën iraniane të garantojë me vendosmëri se do ta përdorë programin e saj bërthamor vetëm për qëllime civile.
Sipas burimit, bisedimet do të pasohen nga një dialog i strukturuar në nivel ekspertësh.
Izraeli ka thënë se qëllimi i tij është të eliminojë aftësinë e Teheranit për të zhvilluar një armë bërthamore. Irani mohon se programi i tij bërthamor është për qëllime ushtarake.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz ka folur në mbështetje të sulmit të Izraelit dhe e ka zemëruar Teheranin këtë javë duke thënë se iranianët duhet të ulin tensionet ose të përballen me kërcënimin e një shkatërrimi edhe më të madh.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul të mërkurën u ka bërë thirrje udhëheqësve të Iranit të punojnë drejt një zgjidhjeje që do të përfshinte garanci mbi programin e tij bërthamor, duke u thënë atyre se "nuk është kurrë vonë për t'u ulur në tryezën e negociatave".
